Nuk ka surpriza! Ashtu siç u paralajmërua nga kreu i qeverisë Edi Rama, kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar dekretin e presidentit Ilir Meta për shqyrtimin e Kodit Zgjedhor të miratuar nga maxhoranca pa dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare. Deri tani maxhoranca ka siguruar 97 vota për të rrëzuar presidentin, ndërkohë që procesi i numërimit po vijon ende.
Me rrëzimin e dekretit tashmë mbetet në fuqi formula e koalicioneve ku partitë duhet të grupojnë kandidatët në një listë të vetme. Kjo pikë u kundërshtua me forcë nga opozita jashtëparlamentare. Kodi Zgjedhor hyn automatikisht në fuqi pa ndryshimet që kërkonte presidenti Ilir Meta dhe opozita jashtëparlamentare.(Lexo këtu arsyetimin e Metës)
Kreu i shtetit ktheu në Kuvend dekretin për Kodin Zgjedhor, ndërsa kërkoi opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me rekomandimet që duhen bërë në hartimin e tij. Kreu i qeverisë Edi Rama doli kundër kësaj ndërhyrje duke deklaruar se nuk ka kohë të pritet Venecia pasi ligji zgjedhor ka nevojë të shkruhet e zeza mbi të bardhë për t’i prirë zgjedhjeve të 25 prilli.
Ndërsa lidhur me rekomandimet e Venecias të cilat pritet të vijnë në muajin Dhjetor, Rama theksoi se ato do të implementohen pas zgjedhjeve të 25 prillit./mv.abcnews.al