Vendosën të mos surprizojnë më publikun dhe t’i lajmërojnë se parlamenti do të mblidhet të martën në datën 5 mars.
Po në ç’orë të ulen shqiptarët para ekranit për të ndjekur të zgjedhurit e tyre?
Kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi nuk e ka publikuar në urdhrin e tij për mbledhjen e seancës e as në rendin e ditës. Është e dyta herë që kryeparlamentari e lë për minutën e fundit orën e mbledhjes së kuvendit të Shqipërisë, ndonëse nuk janë të paktë ata shqiptarë që duan të ndjekin deputetët teksa diskutojnë e votojnë 6 projekt ligje njëri prej të cilëve ka ngjallur edhe debat kohët e fundit , ai për disa ndryshime në ligjin për koncensionet dhe partneritetin publik privat.
Në total janë 8 projektligje në rendin e ditë, dy prej të cilave kërkojnë votim me shumicë absolute që kjo mazhorancë nuk e ka aktualisht.
Përveç shqiptarëve që duan të informohen nga seanca e radhës ka një grup tjetër jo të vogël në numër që ka paralajmëruar se do të protestojë përpara kuvendit. Bëhet fjalë për opozitën e bashkuar që i premtoi socialistëve se do t’i kenë aty në çdo ditë apo orë që do të vendosin të mblidhen në Kuvendin e Shqipërisë.
Mbetet për ta sqaruar kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi se pse nuk ka njoftuar orën e mbledhjes së seancës së radhës. Një gjë është e sigurtë se surprizë po ia bën atyre që i kanë votuar, të tjerët kanë thënë se e kanë ndarë mendjen të jenë aty në çdo orë të ditës apo mbrëmjes. /abcnews.al