Kuvendi i Kosovës në krizë, dështon seanca për negociuesit me Serbinë

schedule18:47 - 5 Shtator, 2018

schedule 18:47 - 5 Shtator, 2018

Përsëri dështoi seanca e qeverisë dhe opozitës në Kosovës lidhur me ekipin negociator që do të marrë pjesë në dialogun me Serbinë në Bruksel. Dështimet ndodhën për shkak të mungesës së kuorumit. Në këtë situatë, kryeparlamentari Veseli tha se vazhdimi i seancës do të bëhet të enjten.

Kuvendi i Kosovës po kalon një periudhë krize të rëndë pasi nuk arrin të përmbyllë punimet në seancat e thirrura si nga qeveria ashtu edhe nga opozita. Edhe të mërkurën dështoi seanca e jashtëzakonshme parlamentare për ekipin e dialogut që përfaqëson Kosovën në bisedimet me Serbinë në Bruksel. Pasi u tentua disa herë, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli njoftoi se votimi për këtë ekip të prezantuar nga kryeministri Ramush Haradinaj nuk do të zhvillohet pasi mungon kuorumi i nevojshëm.

Nga ana tjetër, veseli njoftoi se gjatë mbrëmjes të së mërkurës do të mbahej seanca e kërkuar nga opozita. Megjithëse u tentua dy herë, edhe deputetët e opozitës nuk ia dolën të grumbullonin 61 deputetë në sallë. Përpjekjet e tyre treguan shumë lidhur me situatën politike në të cilën gjëndet vendi. Nisma për Kosovën, që bën pjesë në koalicionin qeveritar vendosi të marrë pjesë në seancën e opozitës, duke dërguar një mesazh të qartë, që qeveria është tepër e brishtë.

Ndërkohë, në këtë seancë, opozita kërkon miratimin e një rezolute që ndalon presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në dialogun me Serbinë. Kjo nismë erdhi pasi kreu i shtetit mbështeti korrigjimin e kufijve, më saktësisht u përfol se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja do t’i bashkohen Kosovës dhe në këmbim edhe Serbia do të përfitonte diçka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!