Ambasada amerikane në Tiranë ka njoftuar të gjithë shtetasit e saj në Shqipëri nëpërmjet një mesazhi ‘alert’ në faqen zyrtare lidhur me Kuvendin e ish-kryeministrit Sali Berisha që do të zhvillohet ditën e nesërme. Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të shmangin tubimet pasi sipas tyre, disa situata mund të ndryshojnë shpejt në mënyrë të paparashikueshme.
“Alert për demonstratë; Vendndodhja: Tiranë: Stadiumi Air Albania; Data/Ora: E shtunë, 11 dhjetor 2021, ora 10:00. Ngjarja: Një tubim politik është paralajmëruar të zhvillohet në orën 10:00 të datës 11 dhjetor në stadiumin Air Albania në Tiranë. Ky tubim mund të migrojë në vende të tjera në Tiranë. Madhësia dhe kohëzgjatja e saktë e mbledhjes së pritshme nuk dihen. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit. Veprimet për të ndërmarrë: Shmangni tubimet e mëdha dhe çdo zonë ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdim. Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj. Monitoroni mediat lokale për përditësime“, shkruan ambasada mes të tjerash në njoftimin e saj.
Në datë 11 Dhjetor Sali Berisha ka njoftuar mbajtjen e Kuvendit Kombëtar me qëllim shkarkimin e Lulzim Bashës dhe rikthimin e tij në krye të Partia Demokratike pas 8 viteve. Ish-kryeministri ka njoftuar më herët se janë më shumë se 4200 delegatë që kanë firmosur për mbledhjen e këtij forumi. Kuvendi do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” ndonëse fillimisht ishte planifikuar në Pallatin e Kongreseve. be.k/abcnews.al

