Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kushtetuesja rrëzon Kuvendin për komisionet: Procedura e ndjekur antikushtetuese

schedule15:47 - 23 Shkurt, 2026

schedule 15:47 - 23 Shkurt, 2026

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Kuvendit lidhur me ndryshimet e bëra për rritjen e numrit të Komisioneve Parlamentare.

Vendimi i Kushtetueses erdhi pas ankimit të Partisë Demokratike, e cila pretendonte për shkelje procedurash nga Kuvendi.

Ata theksuan se ndryshimet që parashikonin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga tetë në 11, ishin të njëanshme.



Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura e ndjekur ka qenë antikushtetuese dhe nevojitet të rregullohet.

Gjithashtu, Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizimit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata) në datën 10.02.2026 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkesë jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”.

Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.

Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizimit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.

Për arsyet e mësipërme, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata, njëzëri, vendosi:

* Pranimin e kërkesës
* Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
* Efektet shfuqizuese të këtij vendimi hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!