Komisioni Qendror Zgjedhor do t’i saktësojë modalitetet e certifikimit të kandidatëve për zgjedhjet e jashtëzakonshme, të urdhëruara nga Gjykata Kushtetuese, bazuar në aktgjykimin e saj, në rastin e deputetit Etem Arifi.
Gjykata më 21 dhjetor e rrëzoi Qeverinë Hoti, të zgjedhur më 3 qershor, me arsyetimin se është kundërkushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë. Gjykata kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë se si do të veprojë me grupin e deputetëve të dënuar me burgim me kusht para dy vjetësh për hedhje të gazit lotsjellës në kuvend, tha se ky institucion e ka parasysh vendimin e Gjykatës dhe se “modalitetet do të saktësohen nga ana e KQZ-së gjatë procesit zgjedhor”.
“Gjykata Kushtetuese, me aq sa kemi lexuar në njoftimin e shkurtër që ka publikuar, kërkon që të zbatohet Neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pra ndër tjerash edhe germa Q, pra që pamundëson kandidimin e një personi që është shpallur fajtor për vepër penale me vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit”, tha Elezi.
Ai shtoi se “KQZ-ja do të shohë të gjitha obligimet që dalin nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”.
Rasti Kurti
Vendimi i Kushtetueses e përcakton se personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë në një periudhë tre vjeçare, të mos mund të garojnë në zgjedhje.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe disa deputetë të tjerë, më 2018, janë dënuar me kusht, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit. Kurti, pas takimit të së martës me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin tha se pret që ta shohë “aktgjykimin e plotë të Kushtetueses, në mënyrë që të mund ta interpretojnë saktë këtë pjesë të vendimit të Gjykatës”.
“Paqartësi ligjore”
Profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu i tha Radios Evropa e Lirë se korniza aktuale ligjore e ndalon Kurtin që të kandidojë, edhe pse ai mendon se neni kushtetues është gabim dhe do të duhej tëishte më specifik.
“E kam shikuar edhe në Kushtetutë dhe mendoj se është gabim sepse është e qartë se ka dallim dënimi me kusht, sepse flitet për dënim alternativ. Një ndarje e tillë duhet të bëhet edhe në ligj dhe Kushtetutë, pasi këtu nuk po flasim për dënim efektiv”, tha Salihu.
Por, profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu konsideron se çështja e kategorizimit të sanksioneve penale, “është diçka që rregullohet me Kodin Penal”.
“Dënimi me kusht është diçka që nuk ka efekte, pasoja, në qoftë se vepra nuk përsëritet. Pra, për veprën që dënohet, ose thënë ndryshe, relacioni shkak-pasojë për një vepër penale që duhet të ekzistojë edhe për një dënim pasues, në këtë rast nuk ekziston. Personalisht mendoj se njerëzve me dënim me kusht, nuk iu takon sanksioni i ndalimit të kandidimit dhe pasoja e të mos qenit deputet”, tha Baraliu.
Sipas tij, çdo gjykatë serioze do të duhej ta shënonte në aktgjykimin e saj, ‘dënim me burg efektiv’, që do të bënte dallimin e sanksioneve alternative.
Telashe edhe për Osmanin
Me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, telashe mund të ketë edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila ka proklamuar se do të formojë një iniciativë qytetare, për të garuar në zgjedhjet e ardhshme.
“Ajo s’mund ta bëjë këtë, pasi një dispozitë e Kushtetutës thotë qartazi që presidenti -në bazë të interpretimit analogjik, i bie që as ushtruesja e detyrës së presidentit – nuk mund të merret me aktivitete politike në të njëjtën kohë dhe nuk mund të ketë funksione politike në një subjekt politik”, vlerëson profesor Baraliu.
Sidoqoftë, profesori i të drejtës penale ndërkombëtare, Ismet Salihu thotë se edhe për këtë çështje ka zgjidhje.
“Ajo mund t’ia dorëzojë ushtrimin e detyrës së presidentit, një tjetre zonje të nderuar, kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizit”, tha Salihu.
Çfarë do të ndodhë tutje?
Profesori Mazllum Baraliu thotë se në këtë situatë, zgjidhja më e mirë do të ishte që para shpalljes së datës së zgjedhjeve, partitë politike të dakordohen për miratimin e buxhetit dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
“Jemi në kohë të vështirë dhe në afat të ngushtë kohor, pasi që presidenti i ri duhet të zgjidhet (ose që procedurat ligjore për zgjedhjen e tij të përfundojnë) 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit ose presidentes paraprake. Kjo i bie se në mars 2021, duhet të kryhen të gjitha procedurat për president”, tha Baraliu.
Por, këto opsione nuk janë përmendur publikisht nga aktorët politikë, pos nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti i cili kërkoi që kuvendi ta miratojë buxhetin para shpërndarjes.
Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka nisur tashmë konsultimet me liderët e partive politike për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Gjatë konsultimeve me Osmanin, partitë kanë përmendur fundin e janarit dhe fillimin e shkurtit, si periudhë kur do të mund të mbaheshin zgjedhjet. /REL/