Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e ministres Olta Xhaçka. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bardhi shprehet se gjykata pranoi kërkesën se vendimi për vlefshmërinë e mandatit i takon vetëm “Kushtetueses”.
“Edi Rama dështoi për të mbrojtur mandatin e Olta Xhaçkës me një vendim antikushtetues të Kuvendit. Kërkesa jonë që vendimi për vlefshmërinë e mandatit te deputetit i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese u pranua. Tani, Edi Ramës i duhet ta dorëzojë investitoren e vet strategjike me mandat deputeti para Gjykatës Kushtetuese.”, shkruan Bardhi.
Ai e cilëson këtë vendim si vetëm aktin e parë të një beteje që duhet të përfundojë me një vendim që i heq Xhaçkës mandatin e deputetes për shkelje të rëndë të Kushtetutës.
“Ky është vetëm akti i parë i një beteje që duhet të përfundojë me një vendim tjetër të pavarur e të pandikuar për t’i hequr Olta Xhaçkës mandatin e deputetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Kush përfiton në mënyrë antiligjore nga pasuritë publike duhet të mbajë përgjegjësi! Trajtimi i pasurisë kombëtare si plaçkë personale e Kryeministrit për ministrat dhe familjarët e tyre duhet të ndëshkohet. Ky është vendimi që presin qytetarët nga drejtësia!”, përfundon Bardhi.
Kushtetuesja pranoi kërkesën e grupit të Enkelejd Alibeaj dhe të konsiderojë të papajtueshëm vendimin e Kuvendit, i cili nuk miratoi kërkesën e deputetëve të PD-së për mandatin e saj. Sipas vendimit, Kuvendi detyrohet ta dërgojë çështjen në Kushtetuese dhe mandati i Xhaçkës të shqyrtohet në themel.
/abcnews.al