TIRANË- Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Ilir Metës për të fituar lirinë. Ish-presidenti do të mbetet në qeli, pasi edhe Kushtetuesja, pas tre shkallëve të tjera të gjyqësorit, nuk ndryshoi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sipas vendimit të Kushtetueses, mbajtja e Metës në arrest është e ligjshme, pasi është caktuar mbi bazën e një dyshimi të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale.
Juristja e njohur Brizida Gjikondi, e ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News u shpreh se provat që janë në dosje dhe veprat për të cilat akuzohet Ilir Meta e bëjnë të pafavorshme mundësinë e lirimit të tij.
Ajo theksoi se Gjykata Kushtetuese tregoi dinjitet me vendimin që dha ndaj kërkesës së ish-presidentit Ilir Meta, ndërsa shtoi se gjuha e tij, e adresuar ndaj Kushtetueses ishte e papranueshme dhe njëherësh e rrezikshme.
“Gjykata Kushtetuese ka qenë sot në dinjitetin e saj. Ka dhënë një arsyetim se pse e ka marrë këtë vendim. Meta e ka cilësuar Gjykatën Kushtetuese si “Gjykata e Lanës”. Por kur Meta mendon se është kështu, pse e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese?
Provat që janë në ngarkim të Metës dhe veprat për të cilat akuzohet dhe po hetohet nuk janë të favorshme për ta liruar nga burgu pasi Meta, si shumë persona të tjerë mund të prishin provat.
Gjykata e ka çmuar se nuk mund të fitojë lirinë dhe nuk mund ta ndjekë nga shtëpia gjyqin e tij. Ai nuk plotëson kriteret për të qenë jashtë qelive të burgut”, tha Gjikondi./abcnews.al


