Kushtetuesja e futi në shqyrtim, ekspertët: Kuorumi dhe dëgjimi i Metës me dyer të hapura

schedule07:31 - 16 Tetor, 2021

schedule 07:31 - 16 Tetor, 2021

Gjykata Kushtetuese vendosi të premten të kalojë për shqyrtim në seancë plenare publike vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Gjykata ka bërë një shqyrtim paraprak të kësaj çështjeje, ndërsa datën e mbajtjes së seancës plenare publike pritet ta vendosë në një rast tjetër sipas rregulloreve të saj.

Studiuesja e çështjeve kushtetuese dhe profesorja e kësaj fushe në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Tiranës, dr.Aurela Anastasi, thotë se kalimi për në seancë plenare publike nga Gjykata Kushtetuese i vendimit të Kuvendit është i rëndësishëm, sepse për herë të parë do të dëgjohet Presidenti Meta.

“Gjykata fton palët për të dëgjuar shpjegimet e tyre lidhur me çështjen. Presidenti Meta nuk shkoi para komisionit parlamentar, ndaj në seancën plenare të Gjykatës Kushtetuese ai ka rastin të sqarojë pozicionin dhe veprimet e tij, të cilat Kuvendi i ka vlerësuar si shkelje të rënda. Seanca do të jetë publike, pra me dyer të hapura. Procesi ka marrë trajtën e një gjykimi themeli, përderisa palët ballafaqohen për herë të parë me dokumente dhe komente” – thotë dr. Anastasi.

Ligji për Gjykatën Kushtetuese parashikon gjykime të tilla të posaçme, në seanca që duhet të jenë publike, por nuk parashikon afate maksimale kohore. Ekspertët nuk pranuan të parashikojnë një afat kur mund të zhvillohet seanca e Gjykatës Kushtetuese, se kjo është në kompetencë të Gjykatës, por sipas përvojës së deritanishme, mendojnë se kjo mund të ndodhë brenda 2 deri 9 muaj.

Sokol Hazizaj, një tjetër ekspert i njohur i çështjeve kushtetuese në Tiranë thotë që më tepër se sa afatet, juridiksioni, procedurat, rëndësi të madhe ka kuorumi dhe vendimi i Gjykatës.

“Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë, kur sipas Kushtetutës duhet të ketë 9 anëtarë. Një vendim ligjërisht i rregullt nga gjykata me 7 anëtarë duhet të ishte në raportin e votave 5 me 2. Sa i saktë do të ishte ligjërisht një vendim në raportin 4 me 3? Kjo mbetet për t’u debatuar” – thotë zoti Hazizaj.

Me fillimin e procesit të vetingut Gjykata Kushtetuese doli jashtë funksionit, sepse ish-kryetari dhe shumica e 9 anëtarëve të saj u dorëhoqën ose u rrëzuan gjatë procesit të rivlerësimit.

Disa nga anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese ende e paplotë janë propozuar pak kohë më parë nga Presidenti Meta, për të cilin tani pritet të gjykojnë nëse duhet shkarkuar.

Kuvendi i mëparshëm miratoi qershorin e kaluar shkarkimin e presidentit Iir Meta për 9 shkelje të rënda të Kushtetutës, pas qëndrimeve të tij përpara dhe gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Në “shkeljet e rënda të Kushtetutës” komisioni i posaçëm hetimor, renditi shkeljen e betimit, cënimin e procesit zgjedhor, cënimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, të imazhit dhe reputacionit të vendit, figurës institucionit dhe abuzimin me kompetencat kushtetuese të Presidentit.

Presidenti nuk u paraqit në komisionin e posaçëm hetimor, duke e quajtur të paligjshme nismën e ndërmarrë nga shumica socialiste.

Pro shkarkimit votuan 104 deputetë, por tani është Gjykata Kushtetuese, është ajo që do të thotë fjalën e fundit, duke i dhënë të drejtë ose jo Kuvendit./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!