“Kushtetuesja”, delegacioni i Komisionit të Venecias në zyrën e kryeparlamentarit Ruçi

schedule14:36 - 13 Shkurt, 2020

schedule 14:36 - 13 Shkurt, 2020

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi,  është takuar këtë të enjte me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Shqipëri për të diskutuar mbi kërkesën e Kuvendit mbi ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues.

Në këtë takim kryetari i Kuvendit ka falenderuar anëtarët e delegacionit mbi vullnetin dhe gadishmërinë e Komisionit të Venecias për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet shqiptare dhe dhënë opinione mbi zhvillimet politike, kushtetuese dhe ligjore në vend.

“Kërkesat tona kanë qenë disi të shumta e të shpeshta, por Komisioni i Venecias iu është përgjigjur atyre me shpejtësi e cilësi të lartë dhe këto opinione janë konsideruar dhe inkorporuar në legjislacionin shqiptar”, ka thënë Ruçi.

Gjithashtu kryeparlamentari u është përgjigjur pyetjeve të tyre lidhur me ngritjen dhe bërjen funksionale të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe organeve të tjera si edhe pyetjeve konkrete mbi procedurat e ndjekura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi gjatë procesit të emërimit të gjyqtarëve kushtetues./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!