“Kushtetuesja”, Kuvendi publikon listën, Kim-KED: Veproni shpejt, Gjykata e plotësuar deri në dhjetor

schedule13:22 - 19 Tetor, 2020

schedule 13:22 - 19 Tetor, 2020

Pas rishpalljes nga Presidenca për Listën e kandidatëve që kanë aplikuar për Gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, edhe Kuvendi ka publikuar kandidatët për në “Kushtetuese”.

Sipas njoftimit nga ana e Kuvendit, janë renditur në listën propozuese: 1. Altin Binaj, 2. Ardita Buna Alsula, dhe 3. Ilir Haznedari.

Gjykata Kushtetuese nuk kryen ende funksionin e saj pas krijimit të vakancave dhe mbarimit para afatit ligjor të mandatit të gjyqtarit Fatos Lulo.

“Pas rishpalljes nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 24.9.2020, të hapjes së procedurave të aplikimit për vendin vakant për 1(një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të z.Fatos Lulo, kanë paraqitur kërkesën për shprehje interesi, si dhe dokumentacionin përkatës, kandidatët:

  1. Altin Binaj
  2. Ardita Buna Alsula
  3. Ilir Haznedari”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Sakaq pas këtij publikimi ka reaguar edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.

Kim me anë të një postimi në rrjetet sociale ka përshëndetur publikimin e listave të kandidatëve për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, nga Presidenca dhe Kuvendi.

Kim shkruan se Këshilli i Lartë i Emërimeve ne Drejtesi duhet të veprojë shpejt pasi deri në fund të viti Gjykata Kushtetuese duhet të jetë konsoliduar.

n.d./abcnews.al