Kushner në Izrael; është bërë gati terreni për progres në Lindjen e Mesme

schedule08:02 - 31 Gusht, 2020

schedule 08:02 - 31 Gusht, 2020

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner të dielën lavdëroi marrëveshjen e fundit mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për të vendosur marrëdhënie diplomatike, si një përparim historik dhe tha se “tani është përgatitur terreni” që shtetet e tjera arabe të ndjekin këtë model, por ai nuk dha asnjë tregues se mund të priteshin marrëveshje të tjera së shpejti.

Duke u shfaqur së bashku me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe Këshilltarin amerikan të Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, zoti Kushner foli një ditë para se ai t’i bashkohej një delegacioni të lartë izraelit në fluturimin e parë komercial nga Izraeli në Emiratet e Bashkuara Arabe. Fluturimi ka një vlerë të madhe simbolike dhe është një hap kryesor në atë që pritet të jetë normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Njoftimi i 13 gushtit i bëri Emiratet e Bashkuara Arabe vendin e tretë arab që vendos marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin, dhe i pari që e bëri këtë në mbi 25 vjet. Kjo pasqyron një Lindje të Mesme në ndryshim, në të cilën shqetësimet e përbashkëta rreth Iranit kanë kapërcyer mbështetjen tradicionale mbarë-arabe për palestinezët.

“Sot padyshim ne festojmë një përparim historik për paqen,” tha zoti Kushner, duke shtuar se marrëveshja do të krijojë një bashkëpunim “më parë të paimagjinueshëm” ekonomik, sigurie dhe fetar.

“Megjithëse kjo marrëveshje paqeje u mendua nga shumë njerëz e pamundur, terreni tani është përgatitur për edhe më shumë,” tha ai, duke pretenduar se ka ndjerë optimizëm në të gjithë rajonin që nga shpallja e marrëveshjes.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë atë optimizëm dhe duhet të vazhdojmë të bëjmë presion që ta bëjmë këtë rajon të arrijë potencialin që ai ka me të vërtetë,” tha zoti Kushner, dhëndri i Presidentit Donald Trump dhe këshilltari kryesor për Lindjen e Mesme.

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lëvizur me shpejtësi për të forcuar lidhjet e tyre gjatë dy javëve të fundit. Pothuajse menjëherë, ata hapën linja telefonike të drejtpërdrejta, dhe ministrat e kabinetit kanë zhvilluar biseda miqësore telefonike.

Të shtunën, Emiratet e Bashkuara Arabe i dhanë fund zyrtarisht bojkotit të tyre komercial ndaj Izraelit, megjithëse të dy vendet kanë bërë pa zhurmë biznes prej vitesh. Fluturimi i së hënës me një aeroplan El Al nga Tel Aviv për në Abu Dhabi do të jetë fluturimi i parë i njohur i një aeroplani tregtar izraelit nga Izraeli drejt Emirateve. Të dyja vendet e Mesdheut pritet të nënshkruajnë një marrëveshje zyrtare në Shtëpinë e Bardhë në javët e ardhshme.

Por deri më tani, parashikimet e zyrtarëve izraelitë dhe amerikanë, përfshirë zotin Kushner, se vendet e tjera arabe do të ndiqnin shembullin e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk janë realizuar ende.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo vizitoi rajonin javën e kaluar, duke ndaluar në Sudan, Bahrein dhe Oman – tre vende që shihen gjerësisht si kandidatë për të krijuar lidhje me Izraelin – por duket se u largua me duar të zbrazëta.

Shtimi i veprimtarisë diplomatike amerikane vjen ndërsa administrata Trump po ushqen plane ambicioze për të nxitur afrimin arabo-izraelit edhe në mungesë të një zgjidhjeje për konfliktin izraelito-palestinez, i cili ishte parë prej kohësh si një parakusht për Izraelin për të arritur marrëveshje paqeje me të gjithë fqinjët arabë.

Marrëveshja e Emirateve të Bashkuara Arabe i dha administratës Trump një fitore të mirëpritur të politikës së jashtme përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Përballë një beteje të ashpër rizgjedhjeje, Shtëpia e Bardhë është e etur për momente të tilla energjike.

Vendet e Gjirit, të cilat si Izraeli kanë armiqësi të thellë ndaj Iranit, kanë treguar një gatishmëri në rritje për të patur lidhje në prapaskenë me Izraelin.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe do të sjellë tregti dhe mundësi të “pakufizuara”.

Presidenti Trump zbuloi në janar një plan për Lindjen e Mesme që u refuzua nga palestinezët, të cilët thonë se favorizon padrejtësisht Izraelin.

Palestinezët kërkojnë Bregun Perëndimor, Jeruzalemin lindor dhe Rripin e Gazës – zonat e kapura nga Izraeli në luftën e vitit 1967 – për një shtet të pavarur. Plani i Presidentit Trump u ofron atyre një autonomi të kufizuar në 70% të Bregut Perëndimor, duke e lënë Izraelin në kontroll të përgjithshëm të territorit, dhe një prani simbolike në periferi të Jeruzalemit, ndërsa i jep Izraelit kontrollin e vendeve të shenjta të qytetit.

Netanyahu tha se marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe provon se palestinezët nuk kanë më “veton” mbi paqen rajonale. Palestinezët kanë akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe për tradhti.

“Nëse duhet të presim palestinezët, do të na duhet të presim përgjithmonë,” tha zoti Netanyahu. “Ndërsa më shumë vende arabe dhe muslimane i bashkohen rrethit të paqes, palestinezët përfundimisht do të kuptojnë se vetoja e tyre është zhdukur dhe ata do të ndjenë presion të madh nëse qëndrojnë jashtë komunitetit të paqes.”/VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!