Ministrja e Arsimit Evis Kushi në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama ka dhënë detaje në lidhje me vijimin e procesit mësimor në këtë situatë të vështirë pandemie.
Kushi në fjalën e saj ka theksuar se ato janë të gatshëm dhe kanë të gjithë masat që duhen për garantimin e mësimit normalisht.
“Ne i kemi marrë të gjithë masat që dhe nëse do të kalojmë në mësimin e përzierë apo online ne procesin mësimor do e vijojmë normalisht“, ka thënë ajo.
Gjithashtu ministrja ka bërë me dije se për vijimin e procesit mësimor ministria ka gati tre skenarë, mësim në bankat e shkollës, mësim të përzierë dhe mësimi në distancë apo mësimi online.
“Vendimi për të hapur shkollat ishte një vendim i vështirë por ne për këtë vendim jemi konsultuar dhe me autoritetet dhe ekspertë ndërkombëtare në vend dhe ndërkombëtare dhe u zhvillua një sondazh me mësues dhe nxënës nga i cili 86 % ishin për fillimin e shkollës. Gjithashtu u bë një analizë e hapësirave në shkolla tona. Aktualisht kemi tre skenarë, mësimi në bankat e shkollës, mësimi i përzierë dhe mësimi në distancë mësimi online ne aktualisht jemi në skenarin e parë.
Përmes një raporti ditor ne e dimë se sa nxënës dhe mësues kemi të infektuar në çdo zonë të vendit, që nga dita e parë e shkollës unë kam qenë në terren për ta ndjekur nga afër mënyrën se si zbatohen këto masa dhe shpesh kam bërë vizita të befasishme për të parë realitetin dhe rezulton se ndërgjegjësimi i nxënësve dhe mësuesve është maksimal. Nxënësit janë më të mbrojtur në shkollë sesa kur lozin poshtë pallatit, shkojnë në dyqan.
Gjithashtu është e rëndësishme që një mësues ose një nxënës sapo paraqet shenja duhet të bëjë tamponin. Në raste kur kemi pasur një numër të lartë të infektuarish është bërë mbyllja e një institucioni përkatës për të bërë dizinfektimin e ambienteve të asaj shkollë. Ne kemi një numër prej një mijë mësuesish shtesë të cilët duhen që të mos lëmë hapësira boshe dhe në zonat e kuqe ku numri i infektimeve është i madh kemi rritur dhe numrin e mësuesve në dispozicion.
Mësuesit shtesë i marrim nga portali mësues për Shqipërinë, pasi e rëndësishme është vijueshmëria e procesit mësimor.
Shpërndarja e tabletëve digjitale është një tjetër hap i ndërmarrë nga ne sidomos në klasat kolektive.
Ne i kemi marrë të gjithë masat që dhe nëse do të kalojmë në mësimin e përzierë apo online ne procesin mësimor do e vijojmë normalisht siç është kanali RTSH shkolla, ndërsa tashm ëkëtë vit shkollor ne kemi dhe një marrëveshje që jo vetëm mësimi të vijojë çdo ditë por ai do të vijojë të jetë aty me programe të ndryshme për fëmijët për të rritur cilësinë e arsimit në vendin tonë”, ka thënë Kushi.
Gjithashtu ajo ka komentuar mësimin online në universitete ku ka theksuar se ky ishte një vendim i komitetit të ekspertëve por kjo është një situatë që është e përballueshme nga të gjithë universitetet e vendit./abcnews.al