Kushi “lëshon pe” pas protestave, maturantët: Duam diçka konkrete ose bojkotojmë provimin e radhës

schedule12:31 - 14 Qershor, 2021

schedule 12:31 - 14 Qershor, 2021

Ministria e Arsimit bëri të ditur mesditën e së hënës që do të ulet kufiri minimal i pikëve për çdo notë të provimit të matematikës pas protestave të maturantëve. Megjithatë, maturantët në Fier, duke folur për mikrofonin e ABC u shprehën se ministrja Evis Kushi duhet të propozojë diçka konkrete ose ata do ta bojkotojnë provimin e radhës, ditën e nesërme.

Siç ata u shprehën, nëse ministrja nuk u ofron një zgjidhje brenda ditës së sotme, vendimi për të bojkotuar provimin do të qëndrojë.

“Jemi të pakënaqur, nuk është diçka konkrete. Sa do ulen pikët? Deri tani janë fjalë, duam diçka konkrete. E duamë më konkrete dhe mundësisht brenda ditës së sotme. Deri tani ky është mendimi,” tha një maturante.

Kurse, një tjetër u shpreh se nuk i zënë besë ministres derisa të shohin diçka më konkrete.

“Nuk ia zëmë besën, ka bërë shumë premtime dhe nuk ka mbajtur asnjë. Duam të shohim notat dhe sa pikë do ulen.” 

Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe një grup maturantësh në Vlorë. Një prej tyre u shpreh për ABC se në tezë mungonin nivelet e vështirësisë së ulët dhe mesatar. Sipas tyre, teza mund të bëhej vetëm nga një nxënës ekselent.

Edhe maturantët e Vlorës thonë se nëse nuk rishikohet teza apo të rivlerësohet, do të bojkotojnë provimin e nesërm.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi  përmes një video-mesazhi bëri të ditur se  MASR, pas provimit të matematikës ka ngritur grupe pune të pavarura, me ekspertë të fushës së matematikës, mësues me përvojë dhe maturantë, të cilët kanë analizuar në detaje dhe vlerësuar me shumë vëmendje çdo pyetje në test, përputhshmërinë me programin, saktësinë shkencore dhe nivelin e vështirësisë.

Në fjalën e saj Kushi, njofton se Ministria e Arsimit ka vendosur të plotësojë kërkesën e maturantëve për të kufirin minimal të pikëve për çdo notë. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!