Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka njoftuar se është konsituuar Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH).
“Së bashku me personalitete të njohura të botës akademike që kontribuojnë në Shqipëri por edhe në institucione prestigjioze europiane, konstituuam Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor” – shkruan ministrja Kushi.
KALKSH kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe ka në përbërje 12 anëtarë, të cilët janë personalitete të njohura të fushave akademike.
“Jam e lumtur për konkretizimin e këtij hapi, pasi KALKSH do të jetë pa diskutim një organ këshillimor shumë i rëndësishëm pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në lidhje me politikat e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”.
Ky organ këshillimor shqyrton dhe këshillon ministrin lidhur me hartimin e strategjive e të programeve kombëtare për arsimin e lartë e kërkimin shkencor, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore; fushat parësore dhe programet e kërkimit shkencor e të zhvillimit teknologjik; zhvillimin e politikave të veçanta dhe mënyrat e financimit të tyre etj. /mv.abcnews.al