LEZHË- Banorët e një pallati në Lezhë, i cili është dëmtuar nga tërmeti janë rikthyer për të jetuar aty. Gazetari i Abc News, Gjergj Figuri thotë se banorët janë rikthyer të jetojnë te pallati i dëmtuar pasi iu është ndërprerë bonusi i qirasë.
Por, Bashkia e Lezhës ka një pretendim tjetër nga ai i banorëve. Sipas saj, banorët nuk e kanë lejuar firmën kontratkore të ndërhyjë për të bërë rregullimet dhe përforcimet e nevojshme, ndaj është marrë kjo masë.
“Firma rregulluese ka ndeshur sipas bashkisë në dyer të mbyllura nga familjarët dhe nuk është lejuar të ndërhyjë për të kryer ndërtimet e duhura. Banorët kanë penguar ndërhyrjen e e kompanisë dhe për këtë arsye është ndërprerë bonusi”, raportoi gazetari, referuar deklarimeve nga Bashkia e Lezhës.
Banorët thonë se po jetojnë një pallat të dëmtuar rëndë dhe pretendojnë se iu është hequr padrejtësisht bonusi i qirasë.
“Ne vazhdojmë të jetojmë në një pallat të dëmtuar rëndë. Bonusin e kanë hequr nga dhjetori dhe këtej nuk është marrë me. Nëse ky pallat është dëmtuar, ose të dalim përjashta dhe të vijë komisioni dhe ta shikojë, megjithëse komisioni e ka parë”, tha një prej banorëve të këtij pallati.
Të tjerë thonë se ka pasur ndërhyrje vetëm në pjesën e jashtme të fasadës, ndërsa hyrjet e tyre janë të shkatërruara.
“Shkalla jonë ka qenë për shembje, muret nga brenda janë katastrofë. Pallati është zbukuruar vetëm nga jashtë”, thanë ata.