Kush janë sportistët më të paguar për vitin 2018

schedule18:25 - 29 Dhjetor, 2018

schedule 18:25 - 29 Dhjetor, 2018

Boksieri amerikan Floyd Mayëeather është sportisti më i paguar në botë për vitin 2018. Veterani fitoi 285 milionë dollarë, ndërsa pas tij u renditën Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.

Jo më kot ka nofkën “paraja”. Floyd Mayëeather i Riu u rikthye në vendin e parë të renditjes së sportistëve më të paguar të botës, si dhe arriti një nivel që pakkush e kishte prekur më parë. Boksieri 40-vjeçar pati të ardhura prej 285 milionë dollarësh amerikane, i shkëputur ndjeshëm nga yjet e tjerë.

Plot 275 milionë dollarë amerikani i fitoi nga dueli në ring me Conor McGregorin, kampionin e arteve marciale. Mayëeather, që ka 50 fitore e 0 humbje në karrierë, u bë i treti sportist i të gjitha kohëve që fiton 1 miliardë USD, që kur u bë profesionist. Dy të tjerët janë amerikanët Michael Jordan dhe Tiger Woods.

Lionel Messi është numri 2 në listë, duke lënë pas për fare pak, Cristiano Ronaldon. Superylli i Barcelonës pati 111 milionë dollarë amerikanë fitime, sidomos falë rrogës tepër të lartë, por edhe të ardhurave të tjera nga sponsorët. Cristiano Ronaldo fitoi plot 108 milionë dollarë, pra vetëm 3 më pak se Mesi.

Portugezi u largua në verë nga Reali i Madridit për t’u bashkuar me Juventusin, kundrejt një rritjeje të konsiderueshme të pagës, por ai është sidomos i suksesshëm me reklamat, si dhe është numri 1 i sportit në rrjetet sociale, dhe më i kërkuari në Google.

Emra të mëdhenj janë edhe ata që plotësojnë 10-en e parë. Conor McGregor, ish-kampioni i UFC-së, fitoi 99 milionë dollarë, kryesisht falë ndeshjes me Mayëeather. Neymar i Paris SG e ndjek me 90 milionë dollarë, për të vazhduar me kampionin e NBA-së, Lebron James, dhe tenistin më të suksesshëm të të gjitha kohëve, Roger Federer.

Lebron grumbulloi 85.5 milionë USD, ndërsa basketbollistët e NBA-së ishin më të shumtit në 100-en e parë, plot 40. Federer mori 77.2 milionë USD, në një vit kur fitoi turneun e Grand Slemit në Australian Open. Në total, 100 sportistët më të paguar në botë fituan 3.8 miliardë USD, dhe 65 prej tyre ishin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./abcnews.al