Korrupsioni në Kosovë/ Agjensia për parandalimin e korrupsionit: Tre ministri, në krye të listës

schedule12:27 - 6 Janar, 2025

schedule 12:27 - 6 Janar, 2025

Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme, janë ndër institucionet të cilat kryesojnë sa i përket rasteve të korrupsionit në Kosovë.
Ky është konkluzioni për vitin e kaluar, bërë e ditur nga drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj.

“Kemi bërë një vlerësim të 140 institucioneve se cila nga to janë më të cenueshme nga korrupsioni, duke përdorur metodologji dhe indikatorë të zhvilluar nga Këshilli i Evropës…Si të tillë kemi evidentuar disa nga institucionet qendrore të Kosovës të cilat janë më të cenueshme nga korrupsioni. Këtu kemi nëse nuk gaboj Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, kemi ndërmarrjet publike si Postën dhe Telekomin”, është shprehur drejtori i agjencisë për parandalimin e korrupsionit, Yll Buleshkaj.

Ndërkohë, sipas kreut të kësaj agjencie, janë dërguar mbi 15 raste ne prokurori për mosdeklarim të saktë të pasurisë, nga të cilat më e komplikuara ka qenë dosja e ministres së jashtme Donika Gervalla, pasi pasuria e saj, e cila mendohet se nuk është deklaruar plotësisht, ka qenë jashtë Kosovës, duke hedhur publikisht edhe akuzën se gjyqësori në kete rast është treguar selektiv.

“Agjencia e ka kryer punën e vetë për këtë rast dhe e ka përcjellë rastin në prokurori. Prokuroria ka ngritur aktakuzë dhe tashmë e kemi një vendim të gjykatës, i cili është një vendim lirues për zonjën Gërvalla për përgjegjësinë e saj penale në mos deklarimin e plotë të pasurisë. Si e keni parë këtë vendim? Fillimisht, ne nuk e kemi analizuar ende. Për neve është e rëndësishme që secili rast që dërgohet nga ne në prokurori të ketë një vendim dënues. Do ta studiojmë fillimisht se çka ka qenë arsyetimi i gjyqtarit kur e ka liruar zonjën Gërvalla nga përgjegjësia e saj. Ne kemi një trend të fundit që është jo shumë pozitiv për ne, ku zyrtarët e caktuar lirohen nga gjyqësori, nga përgjegjësia penale duke u thirrur në një bazë jo të qartë…”, ka thënë drejtori i agjencisë për parandalimin e korrupsionit Yll Buleshkaj.

Sipas kreut të agjencisë për parandalimin e korrupsionit, është shqetësuese se si prokuroria e Kosovës hedhë poshtë një numër të madh të kallëzimeve penale të bëra nga kjo agjenci, madje ne disa raste edhe duke mos lejuar ankimin e këtyre vendimeve, qe ne thelb sipas tij mund te jene te padrejta./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!