TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, foli për punën që partia po bën në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Ai theksoi se në mbledhjen e kryesisë fokusi ishte tek emrat e kandidatëve dhe këshilltarëve dhe programi për fushatën zgjedhore, sipas zonave të ndryshme.
“U diskutua regjistrimi i kandidatëve dhe lista për këshilltarët. Përtej këtij aspekti është programi i fushatës, specifikat e zonave të ndryshme si dhe përmbajta thelbësore në rrafshin kombëtar”, tha ai.
Ai foli dhe për përzgjedhjen e skuadrës për zgjedhjet e 14 majit, ndërsa shtoi se: “Pak a shumë po e kemi. Aty ku ka pasur dakordësi dhe sinkronizim rreth kandidatëve të caktuar që janë kryetarë bashkie aktualisht ka vazhduar procesi. Pak a shumë jemi në linjë të përgjithshme e dimë se kush është skuadra”, tha Rama.
Shefi i qeverisë para gazetarëve tha se do të vijohet me reforma, kryesisht në rritjen e pagave në disa sektorë të ekonomisë. Sipas tij, me këtë qasje ekonomia e vendit do të fuqizohet dhe do bëhet me konkurruese në shumë aspekte.
“Jemi duke ecur mirë. Kemi bërë një hap të rëndësishëm për rritjen e pagës për mjekët specialistë. Duke filluar nga muaji prill, mjekët do shpërblehen sipas pagave të rajonit, jemi barazuar me Serbinë në pagë, jemi mbi Kosovën. Po bëjmë një ligj të ri për një tërësi profesionesh dhe detyrash në shërbimin publik që kanë të bëjnë me aftësi të veçanta, duke filluar nga aftësisë digjitale. Kemi nevojë të ofrojmë paga, që të jenë paga konkurruese në treg. Heqim lehtësimin e taksimit mbi pagën deri në pagën 50 mijë lekë të reja”, tha ai/n.m.abcnews.al