Kush ishte shënjestër e bombës? Nga erdhi porosia, përgatitja dhe transportuesi

schedule11:27 - 7 Janar, 2022

schedule 11:27 - 7 Janar, 2022

Gazetarja e “ABC” Xhensila Kodra zbulon detaje të reja nga grupi hetimor lidhur me shpërthimin me eksploziv që ndodhi në orët e para të ditës së sotme në Tiranë, ku një makinë që drejtohej nga një biznesmen u hodh në erë teksa ishte në lëvizje.

Shënjestër e atentatit ishte Mikel Harizaj 42 vjeç nga Vlora. Në makinë ishte edhe Serin Dumi 26 vjeç, i cili ishte kamarier në lokalin e biznesmenit, që ky i fundit po e dërgonte në shtëpi, pasi kishte mbyllur punën mbrëmjen e djeshme.

Pistat e hetimit
Hetimet e prokurorisë po zhvillohen në bashkëpunim me drejtorinë e policisë dhe prokurorinë e Vlorës, pasi disa vite më parë Harizaj ka qenë i përfshirë në një ngjarje qytetin bregdetar. Një burim nga grupi hetimor i tha “ABC”-së se porositët e atentatit dyshohet se janë nga Vlora. Ndërsa personat që e kanë përgatitur bombën me telekomandë janë nga Elbasani.

Grupi hetimor po shqyrton edhe lidhjen e mundshme me ngjarjen e 30 Dhjetorit të vitit të kaluar ku mbeti i vdekur në Cërrik Erion Rexhepi, pasi i shpërtheu në dorë një minë me telekomandë. Grupi hetimor dyshon për lidhje të mundshme. Mina me telekomandë ishte vendosur nga krahu i shoferit duke treguar qartë objektivin.

Bomba dhe bizneset
Mikel Harizaj rezulton të jetë pronar i një lokali në zonën e “Xhamllikut” si edhe i një marketi po në këtë zonë. Ndërsa i plagosuri tjetër 26 vjeçari Serin Dumi që ishte pasagjer është kamarier në lokalin e Harizajt. Ky i fundit mësohet se ka qenë duke çuar për në shtëpi 26-vjeçarin dhe gjatë rrugës mjeti tip “Mazda” shpërtheu. “ABC” siguroi pamjet nga vendi i ngjarjes.

Në rrezik për jetën
Mikel Harizaj dhe Serin Dumi pas atentatit me eksploziv ndodhen në gjendje të rëndë në spital. Një burim nga spitali i tha “ABC”-së se dy të plagosurit janë në reanimacion. Dëmtimet që kanë pësuar në gjymtyrë dhe pjesët e tjera të trupit janë të rënda dhe ende nuk e kanë kaluar rrezikun për jetën.

E shkuara e shënjestrës
Mikel Harizaj është një emër i njohur për drejtësinë. Në vitin 2009 ai u arrestua nga policia e Vlorës për shkak të një konflikti me disa persona në një lokal.

Pas konfliktit me ta, Harizaj doli nga lokali dhe shkoi në makinën e tij të cilën e kishte të parkuar aty pranë nga ku ka marrë një granatë dore, dhe i ka sulmuar ata. Më pas Harizaj u fsheh te disa persona në Tiranë, me të cilët kishte edhe lidhje shoqërore, ku dhe u arrestua nga policia.

Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!