Kush ishte astrofizikanti Stephen Hawking

schedule16:13 - 14 Mars, 2018

schedule 16:13 - 14 Mars, 2018

Stephen Hawking ishte një nga astrofizikanët më të shkëlqyer të gjeneratës së tij. Por në fillimet e tij, ai ishte një nxënës mesatar dhe dembel, siç vetë e ka shkruar në autobiografinë “Historia e shkurtër e jetës sime”.

Para se të bëhej një prej shkencëtarëve më të shquar të planetit, Stephen Hawking ishte një nxënës si gjithë të tjerët. Shpesh gjatë jetës së tij, astrofizikani i është rikthyer viteve të fëmijërisë duke pranuar se në klasë, nuk ishte aspak nxënës i dalluar.

Në autobiografinë e tij “ Historia e shkurtër e jetës sime”, shkencëtari pranon se ka mësuar të lexojë vetëm në moshën 8-vjeçare.

“Motra ime Filipa, e edukuar me metoda më konvencionale, mësoi të lexojë që në moshën 4 vjeçe. Padyshim që ajo ishte shumë më e zonja se unë”, rrëfen ai.

Dhe vijon të kujtojë: “ Kam qenë gjithnjë një nxënës mesatar, në një klasë plot nxënës të shkëlqyer. Isha i çrregullt dhe shkrimi im i dëshpëronte mësuesit. Por shokët më quanin Ajnshtajn, padyshim se kishin vënë re disa tipare premtuese tek unë.”

I apasionuar pas matematikës e fizikës, Stephen Hawking tenton konkurimin për në Universitetin e Oksfordit duke ia dalë që në moshën 17-vjeçare të marrë një bursë nga ky institucion prestigjoz. Në autobiografinë e tij, ai kujton se qasja e Oskfordit ndaj punës në atë kohë nuk ishte aspak miqësore.

“Pra ose duhej të shkëlqeje pa shumë mundim, ose të pranoje këto kufizime e të kënaqeshe me rezultate mediokre”.

“Një ditë, kujton shkencëtari, përllogarita se gjatë tre viteve aty, kisha bërë mijëra orë punë, në fakt një orë në ditë. Nuk jam krenar për këtë dembelizëm, por në atë kohë isha po aq përtac sa shumë bashkëstudentë të mij. Kishim një ndjesi totale lodhjeje dhe bindjen se mundimi nuk kishte vlerë.”

Vetëm në moshën 21-vjeçare, kur mësoi se nuk i mbeteshin edhe shumë vite jetë, për shkak të sklerozës amiotrofike laterale, Stephen Hawking u impenjua të bënte gjëra të mëdha.

“Kur përballesh me mundësinë e vdekjes në moshë të re, e kupton se jeta meriton të jetohet dhe se ka shumë gjëra për të bërë”, rrëfen ai në librin “Historia e shkurtër e jetës sime”.

Vazhdimin e jetës së tij, shumë më e shkëlqyer, e njeh e gjithë bota./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!