Kush ishin emrat më të propozuar në Kryesinë e PS, “beteja” e Begajt me Ina Ramën dhe Dvoranin për President

schedule20:50 - 3 Qershor, 2022

schedule 20:50 - 3 Qershor, 2022

Krahas Bajram Begajt, 2 emrat e tjerë më të propozuar për president republike në mbledhjen e Kryesisë së PS kanë qenë Ardian Dvorani dhe Ina Rama.

Por në fund Kryesia socialiste ka vendosur të propozojë emrin e Bajram Begajt i cili prej Korrikut të 2020 mban postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Begaj, veç karrierës ushtarake ka dhe një karrierë të pasur në fushën e mjekësisë, ku dhe ka mbaruar studime universitare, për mjekësi të përgjithshme.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë 3-vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!