Kush është viktima në Shkodër, i akuzuar për plagosje, grabitje e fajde

schedule10:11 - 17 Maj, 2021

schedule 10:11 - 17 Maj, 2021

Endri Mustafa është gjetur i ekzekutuar me armë zjarri në zonën e Livadheve në Shkodër. Burime për ABC bëjnë me dije se ai është gjetur i vrarë me armë zjarri gjatë natës ndërsa nuk dihet ende rrethanat e plota të këtij ekzekutimi.

Por kush është viktima në Shkodër?

Endri Mustafa është një person i njohur për policinë pasi ka precedentë penalë të mëparshëm. Sipas policisë ai është dënuar më parë për plagosje. Ndërkohë në vitin 2016, ai u arrestua së bashku me 5 persona të tjerë pasi akuzohen për grabitjen e një personi. Në atë kohë policia u gjeti armë dhe municione.  Gjatë kontrollit atëherë u sekuestruan 6 automjete të ndryshme, 2 antiplumba, 305 copë fishekë model 56, 5 krehëra armë zjarri automatikë, 2 krehëra pistoletë  TT, 5 skafandra motori, 4 maska dhe 4 kapuç me ngjyrë të zezë, 7 copë fishekë model 54, 3 gëzhoja model 54, rroba me mbetje si gjaku dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme. Emri i tij del në pistë edhe në vitin 2020 gjatë operacioni ‘’Maranaj’’ sërish për fajde, ku ai u shpall në kërkim policor./abcnews.al/