Kush është personi që çoi Kim Jong-un në Korenë e Jugut

schedule08:07 - 3 Maj, 2018

schedule 08:07 - 3 Maj, 2018

Kreu i shërbimit të inteligjencës së Koresë së Jugut është personi që aktualisht po merr të gjitha meritat për takimin historik mes liderëve të dy Koreve. Por dhe për takimin e ardhshëm mes liderit koreanoverior Kim Jong-un me Presidentin amerikan, Donald Trump.

Një nga pamjet më të shpërndara online, ditë pas takimit historik mes liderit koereanoverior Kim Jong-un dhe presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in në Panmunjom, në zonën neutrale, është ajo e një burri në mesomoshë, i cili përkul kokën dhe fshin lotët me shami. Kjo është dhe fotografia që përfaqëson më së miri riafrimin e dy Koreve, që shkon përtej vendimeve gjeopolitike dhe strategjike për programin bërthamor dhe interesat e fuqive të mëdha të huaja në zonë. Suh Hoon, 63 vjeç, është kreu i shërbimit të inteligjencës së Seulit. Për rreth 30 vjet, Suh, që ka lindur menjëherë pas firmosjes së armëpushimit të 1953-shit, ka studiuar Korenë e Veriut. Është simboli i një shërbimi inteligjence që funksionon sipas mënyrës së vjetër.

Kur u firmos marrëveshja e parë për programin bërthamos mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut në një periudhë ndryshimesh të mëdha në Penian pas vdekjes së papritur të themeluesi Kim Il-sung në 8 Korrik 1994, Suh Hoon ishte një spiun me një eksperiencë 15-vjeçare. Një nga pikat marrëveshjes ishte që Koreja e Jugut të ndërtonte dy reaktorë bërthamorë për përdorim civil në Korenë e Veriut nën kontrollin e Agjencisë për Energjinë Bërthamore. Në vitin 1997, Suh Hoon u bë spiuni i parë koreanojugor që shërbente në Korenë e Veriut.

Suh është një nga njerëzit që arriti të realizonte dy samitë ndërkoreanë në histori, atë të 2000-shit dhe 2007-s, periudhës së politikës së artë, nga ky frymëzohet presidenti aktual koreanojugor. Suh Hoon kishte arritur të vendoste një marrëdhënie mirëbesimi me liderin koreanoverior, Kim Jong-il. Por në vitin 2008 ndryshoi gjithçka, me rikhimin në pushtet në Seul të konservatorëve, Suh u detyrua të tërhiqej në botën akademike. Konservatorët koreanojugorë synonin presionin maksimal dhe izolimin ndaj Koresë së Veriut, por nuk funksionoi. Me rrëzimin nga presidenca të Park Geun-hye, shërbimet sekrete koreanojugore ishin në qendër të krtikave pasi më tepër kishin shërbyer për çështje të brendshme dhe jo për të njohur më mirë Korenë e Veriut.

Presidenti aktual i Koresë së Jugut kuptoi se gjërat duhet të ndryshonin ndaj zgjodhi në krye të shërbimit të inteligjencës Suh Hoon. Ishte pikërisht ai, që shoqëroi delegacionin koreanoverior të lojërave olimpike për rikthimin në Penian. Ishte prapë Suh që shkoi në Uashington për t’i thënë Presidentit amerikan Donald Trump, se lideri koreanoverior dëshironte të takohej me të. Dhe takimi historik mes dy Koreve u zhvillua sipas udhëzimeve të tij. Ndaj lotët ishin të një njeriu që pas 30 viteve arriti të sillte një lider koreanoverior në Korenë e Jugut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!