Ideatori i zgjerimit të Turqisë në Egje dhe detin e Zi, Admirali i nxjerrë në pension sëfundmi, Cihat Yayci ka bërë deklarata të forta në lidhje me raportet me Greqinë dhe vetë BE-në.
Yayci u shpreh se nëse Turqia e konsideron veten të rrezikuar, mund të ndërmarrë hapa sikur të jetë në luftë duke ngadalësuar ose bllokuar kalimin e anijeve greke dhe qipriote përmes ngushticës së Dardaneleve duke i dobësuar kështu ekonomikisht, shkruan abcnews.al.
Sipas “Hurriyet“, Yayci shprehet se Greqia dhe Qipro kanë të ardhura të konsiderueshme nga transporti detar dhe një hap i tillë do t’i ndikonte shumë negativisht në ekonomi.
Lexo edhe: Media turke: Ne rrëzuam marrëveshjen detare Shqipëri-Greqi
Kujtojmë se Cihat Yayci është ushtaraku turk që theksoi publikisht se ishin ata që kishin njoftuar autoritetet shqiptare për marrëveshjen e pafavorshme të detit me Greqinë në 2009.
“Ne e njoftuam palën shqiptare duke iu thënë se Greqia po i mashtronte. Në fund, edhe pse marrëveshja u nënshkrua, Shqipëria i tha Greqisë se ishujt e tu nuk mund të kenë të njëjtin ndikim në Zonën Ekskluzive Ekonomike me tokën time, duke e çuar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi”, u shpreh më herët Yayci.
Ky i fundit thekson gjithashtu për mediat turke se Greqia as që mund ta mendojë një luftë më Turqinë.
“Ne jemi dyfishi i ushtrisë së tyre. Greqia s’mund të futet në një garë armatimi me ne, aq më pak në një luftë. Kush është Greqia?”, shprehet ai.
Yayci u nxorr në detyrim në pension gjatë muajve të fundit nga Këshilli Ushtarak i Turqisë pas përplasjeve të brendshme për pushtet . /abcnews.al