Kush është Carlo Cottarelli, ekonomisti që kërkon të nxjerrë Italine nga kriza

schedule16:56 - 28 Maj, 2018

schedule 16:56 - 28 Maj, 2018

Karlo Kotareli, është personi i zgjedhur nga presidenti Italian për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike. Por kush është ekonomisti me nofkën “zotëri gërshëra”, i cili ka qenë drejtor ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë.

Ai është 62 vjeç dhe është ngarkuar nga presidenti i vendit të tij me detyrën më të rëndësishme të karrierës së tij politike. Bëhet fjalë për Karlo Kotarelin, i cili mori mandatin për formimin e qeverisë së re me synimin për t’i dhënë fund krizës politike që ka pllakosur në Itali që prej zgjedhjeve të 4 mars. Por kush është Kotareli?

I lindur në Kremona në vitin 1954, ai është diplomuar për Ekonomi në Universitetin e Sienës, më pas është diplomuar dhe me master në të njëjtën fushë në London School of Economics. Kotareli ka punuar nga viti 1981 deri në 1987 në drejtimin monetar të Shërbimit Studimor të Bankës së Italisë. Ai ka qenë drejtor ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Italinë, Shqipërinë, Greqinë, Maltën, Portugalinë dhe San Marinon që nga nëntori I 2014-ës deri në tetor të 2017-ës. Ndërsa më pas deri në tetor të 2014-ës, në qeveritë Leta dhe Renci, ka zhvilluar detyrën e komisarit për Rishikimin e Shpenzimeve Publike në Itali.

Pikërisht në këtë detyrë, 62-vjeçari ka marrë dhe një nofkë që e bëri atë shumë të njohur në politikën italiane. Kotareli është quajtur edhe si “Zotëri Gërshëra”, për shkak të reduktimit të madh të shpenzimeve publike duke nisur nga shkurtimet masive të personelit.

Ai tashmë është i zgjedhur i presidentit Serxho Matarela për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike. Megjithatë detyra e tij nuk është e lehtë pasi duhet të përballet me kundërshtarë shumë të ashpër si Lega Nord apo Lëvizja 5 Yjet. “Zotëri Gërshëra”, njihet dhe për mbështetjen e qëndrimit të vendit në zonën euro por edhe për kritikat ndaj sistemit financiar të BE-së. Ndërkohë, Kotareli është autor i shumë shkrimeve mbi politikat dhe institucionet fiskale dhe monetare, librave mbi infalcionin dhe taksat. Publikimi i tij i fundit titullohet: “7 mëkatet kryesore të ekonomisë italiane”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!