Kush është Bedri Murati, 48-vjeçari me precedentë që u kap duke shpërndarë para në këmbim të votës për koalicionin “Bashkë Fitojmë”

schedule23:09 - 13 Maj, 2023

schedule 23:09 - 13 Maj, 2023

Shtetasi Bedri Murati është kapur mbrëmjen e sotme nga policia e Krujës duke shpërndarë para për llogari të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Në njoftimin e policisë raportohet se janë sekuestrur 69 000 të rinj, 50 euro dhe 2 lista me emra qytetarësh.

LEXO EDHE: Krujë/ Shpërndante para për qëllime elektorale, arrestohet 48-vjeçari me precedentë të theksuar kriminal

48-vjeçari është një emër i njohur për policinë, pasi ka precedentë të theksuar kriminale në fushën e narkotikëve, mbajtjen e armëve pa leje, prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.

Kush është Bedri Murati:

Bedri Murati, pjesë e një grupi kriminal, ra në pranga së bashkë me 4 anëtarë të tjerë në vitin 2015, të dyshuar për disa shpërthime me tritol në Krujë e Fushë – Krujë, ku u sekuestruan po ashtu edhe 30 kg tritol.

Bashkë me Muratin në pranga ranë edhe Astrit Zguri 38 vjec nga fshati Larushk, i denuar me pare per vrasje, Ylli Zalla 38 vjec, nga fshati Zall-Krujë, Fatjon Cara 31 vjec nga fshati Nikël dhe 17 vjeçari me iniciale A.Z nga fshati Larushk.

Bedri Murati së bashku me grupin e tij janë të dyshuar për dhjetëra ngjarje me shpërthime në Krujë e Fushë Krujë, mes tyre edhe 3 shpërthimet ndaj kreut të Bashkisë së Fushë- Krujës, Gjon Bardhi e në institucione publike në këtë zonë.

Njoftimi i policisë:

Krujë

Shpërndante para, për qëllime elektorale, Policia kap dhe vë në pranga një 48-vjeçar me precedent të theksuar kriminal.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, 69 000 lekë të rinj, 50 euro dhe 2 lista zgjedhore me emra qytetarësh.

Në vijim të zbatimit të masave të ndërmarra nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë gjithë procesit zgjedhor, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Krujë, falë inteligjencës informative, kanë evidentuar dhe goditur një rast të shpërndarjes së parave, me qëllim blerjen e votës.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara, kanë lokalizuar në rrugën e lagjes “Abaze”, Krujë, si dhe kanë bllokuar automjetin tip “Volkswagen Touareg” që drejtohej nga shtetasi B. M.

Gjatë kontrollit në këtë automjet, i ushtruar në prani të shtetasit B. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumat prej 69 000 lekësh te rinj dhe 50 eurosh, si dhe një listë të zgjedhësve në njësinë administrative Cudhi, Krujë, listë në të cilën ishin të rrethuar emrat e votuesve të cilëve dyshohet se iu kishte dhënë para në këmbim të votës në favor të kandidatit për kryetar bashkie të një subjekti politik, si dhe një shënim me 3 qendra votimi, në Cudhi, Krujë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin B. M., 48 vjeç, banues në fshatin Halil, Krujë, i dënuar më parë për veprat penale “Kultivimi i bimeve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet e para hetimore do të referohen në Prokurori, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”. r.t/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!