Kush e tradhtoi Astrit Avdylajn? Karamuço: Banesat vëzhgoheshin nëpërmjet një aparature! Gazetari: Në Shijak ndihej i sigurt

schedule21:22 - 1 Korrik, 2024

schedule 21:22 - 1 Korrik, 2024

Eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço në emisionin “360 Gradë” në ABC News, foli për arrestimin e Astrit Avdylaj, në banesën e tij në Shijak. I pyetur nëse Avdylaj është “tradhtuar” duke sjellë arrestimin e tij, eksperti Karamuço tha se nuk e beson këtë fakt. Ai gjithashtu shpjegoi se operacioni për kapjen e tij ka qenë shumë i mirëorganizuar, ndërsa tregoi se ishte vendosur një aparaturë që bënte vëzhgimin e banesave në distancë.

“Nuk është njoftuar asnjë prej komisariateve dhe i vetmi që e ka marrë vesh ka qenë drejtori i qarkut Durrës. Këtë e ka bërë njësia e posaçme në drejtorinë e Përgjithshme. Ky arrestim ndodhi sepse kishin vendosur një aparaturë që bënte vëzhgimin në distancë të banesave. Kjo e kryqëzuar edhe me informacione që vinin në rrugë operative kanë bërë edhe goditjen finale. Armën nuk e ka pasur në brez, por ka qenë një armë që e kishte në banesë. Herën e parë kur është mësyrë banesa e tij ka qenë në arrest shtëpie. Dhe ka thyer arrestin e shtëpisë dhe që nga ajo ditë ishte në kërkim. Pra nuk mendoj që ka një tradhti, por kanë qenë aparatura që ka rënë më gjurmë”, tha eksperti i Kriminalistikës.

Gjatë kësaj interviste, gazetari Dritan Laçi tha se Avdylaj nuk është larguar asnjëherë nga Shqipëria. Dhe se pas daljes nga burgu ka vazhduar aktivitetin kriminal.

“Avdulaj nuk ka ikur kurrë nga Shqipëria, pjesën më të madhe e ka kaluar në burg. Edhe kur doli nga burgu nuk preferoi të ike nga Shqipëria. Ajo që e ka “tradhtuar” ka qenë një epokë e re që ka nisur. I gjithë operacioni dhe forcat që kanë marrë pjesë kanë ardhur nga Tirana dhe nuk ishin të Durrësit. Avdylaj në Shijak ndihej i sigurt. Kjo ndoshta i ka dhënë edhe një siguri, mund të them që nuk është personazhi më kryesor i krimit, besoj se ka të tjerë…”, tha Laçi.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!