Kush e ka fajin që Evropa nuk merret seriozisht nga fuqitë e mëdha të globit?

schedule10:17 - 22 Shtator, 2021

schedule 10:17 - 22 Shtator, 2021

Nga Andreas Klut, Bloomberg View

Vitin e kaluar, Konferenca e Sigurisë në Mynih, forumi kryesor botëror mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, paralajmëroi “mungesën e Perëndimit” në skenën globale. Ai raport shërbeu vetëm për të nxjerrë në pah rrezikun, sepse ritmi me të cilin bota po ecën përpara pa Perëndimin, vazhdon të përshpejtohet.

Shenja e fundit është AUKUS, aleanca e re gjeopolitike e Australisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, e cila ka Kinën si një kundërshtare të dukshme. Dhe ja ku jemi sërish: Anglosfera e vjetër, si një entitet i dallueshëm nga Perëndimi në tërësi.

Domethënia është se kur bëhet fjalë për të shpërfillur kërcënimet e vërteta -këtë shekull dhe shekullin e kaluar-ato që mbajnë të lidhur vendet janë lidhjet e lashta të gjuhës dhe kulturës. Nën presidentin Emmanuel Macron, Franca është në mënyrë të parashikueshme po aq e zemëruar pse po injorohet siç nuk ka qenë ndonjëherë nën Charles de Gaulle apo udheheqësit e tjerë francezë.

Si pjesë e marrëveshjes AUKUS, Australia do të blejë nëndetëset me energji bërthamore nga aleatët e saj Anglofonë, në vend të atyre konvencionale nga Franca, sikurse ishte rënë dakord më herët. Macron i tërhoqi ambasadorët e tij në Uashington dhe Kanberra, dhe tani po përgatitet për një sulm afatgjatë në kohë.

Gjatë javëve të ardhshme mund të presim të dëgjojmë prej tij më shumë fjalime që kanë në fokus “sovranitetin evropian” dhe “autonominë evropiane”, parullat e mjegullta që ai ka promovuar bashkë me deklaratën e tij më të famshme në lidhje me “vdekjen cerebrale” të NATO-s, që pavarësisht problemeve që ka,mbetet ende manifestimi më konkret i një Perëndimi strategjik.

Po të ishte në dorën e Macron, Bashkimi Evropian, tanimë i pakufizuar nga “britanikët e bezdisshëm”, do të bëhej më në fund një fuqi e veçantë gjeopolitike dhe ushtarake, në dukje në të njëjtin nivel me SHBA-në, duke pre-supozuar se do të udhëhiqej nga Franca.

“Të dyshuarit e zakonshëm” në disa kryeqytete të tjera evropiane e kanë mirëpritur thirrjen e tij, sidomos që nga tërheqja e turpshme e Perëndimit nga Afganistani. Edhe atje, evropianët u ndjenë të tradhtuar nga amerikanët, të cilët as që e morën mundin të konsultoheshin apo të koordinonin veprimet me aleatët e tyre.

Dhe siç mund të parashikohej, është rikthyer fuqishëm thirrja për krijimin e një “ushtrie evropiane”. Në këtë fushatë të fundit, ideja është që të fillohet me një ushtri të BE-së të përbërë nga 5.000 trupa, një lloj force elitare që për shembull mund të kishte siguruar aeroportin e Kabulit pa ndihmën e amerikanëve.

Është më se e kuptueshme që evropianët janë të frustruar pse nuk po merren aq seriozisht, as nga kundërshtarët si Rusia dhe Kina, dhe as nga miqtë si SHBA-ja dhe Australia. Por në vend se të turfullojnë për këtë gjë, do të bënin më mirë të kthenin njëherë sytë nga vetja për të zbuluar arsyet pse ndodh kjo gjë.

Ata mund të fillojnë analizën duke e pyetur Lituaninë, ish-viktimën e imperializmit sovjetik, e cila është sot një anëtare krenare e BE-së dhe NATO-s. Ajo është vendi i fundit evropian që ka rënë pre e sjelljeve bullizuese nga ana e Pekinit.

Dhe arsyeja është sepse Vilnius e lejoi Tajvanin, të cilin Kina e konsideron një provincë separatiste, të hapë një zyrë përfaqësimi. Në shenjë hakmarrjeje, Pekini e tërhoqi ambasadorin e tij, ndërpreu tregtinë me Lituaninë dhe shtrëngoi shumë regjimin e vizave midis 2 vendeve.

SHBA-ja ofroi menjëherë mbështetjen e saj për Lituaninë. Po Bashkimi Evropian? Shtetet e saj anëtare nuk janë dhe aq të sigurta. Tek e fundit, ato bëjnë shumë biznes me Kinën –që është partneri më i madh tregtar i Gjermanisë – dhe mendojnë se Lituania mund të ishte sjellë në mënyrë më diplomatike.

Kryeministri i Sllovenisë, vend që aktualisht mban presidencën e radhës së BE-së, iu përgjërua homologëve të tij që ta mbështesnin Lituaninë. Pra kështu ecin gjërat, vend pas vendi, krizë pas krize, dhe kërcënim nga kërcënimi. Evropianët nuk e shohin njëlloj botën dhe rreziqet e saj, dhe as që mendojnë se janë “bashkëpronarë” të problemeve që ka sot Perëndimi.

Për këtë mjafton të shihni Berlinin, që ka refuzuar kërkesat e SHBA-së, Polonisë dhe të tjerëve, duke ndërtuar një tubacion që lidh Gjermaninë me Rusinë, një projekt që përbën kërcënimin më të drejtpërdrejtë për paqen në kontinent.

Moska planifikon që brenda disa javëve të fillojë transportin e gazit përmes “Nord Stream 2”. Shfaqja tronditëse e Trumpizmit në SHBA, është sigurisht një nga arsyet e prirjes së “mungesës së Perëndimit” në skenën globale.

Ish-presidenti Donald Trump nuk e kuptoi, dhe aq më pak e vlerësoi konceptin e një “Perëndimi” që i bashkuar mbron shoqëritë e hapura dhe rendin botëror. Por edhe evropianët janë po aq fajtorë për këtë. Ata nuk i kanë ndërtuar ushtritë e tyre në mënyrë të tillë që të jenë të afta të zhvillojnë një luftë të vërtetë pa amerikanët.

Dhe ata nuk kanë marrë përgjegjësi për menaxhimin e kërcënimeve më të mëdha gjeopolitike, të cilat tani përfshijnë edhe Kinën. Shembulli më i mirë është Gjermania. Kjo e fundit është ndoshta i vetmi vend, që falë peshës së tij ekonomike, mund të nxisë BE-në të bëhet më e fortë, dhe për këtë arsye më“autonome”. Por Berlini nuk ka interes ta bëjë këtë.

Përkundrazi, ai kursen shumë në raport me ushtrinë e vet, dhe pretendon se problemet e botës duhet të zgjidhen nga të tjerët, dhe kryesisht nga SHBA-ja. Në debatet midis kandidatëve për kancelarë para zgjedhjeve të kësaj të diele, askush nuk kishte asgjë për të thënë në lidhje me politikën e jashtme apo të sigurisë.

Dhe kjo është e turpshme. Për aq kohë sa veproi si i tillë, Perëndimi – jo në një kuptim etnocentrik, por normativ – e bëri botën një vend më të mirë. Prandaj, copëzimi i tij i vazhdueshëm është një zhvillim shumë negativ për stabilitetin dhe paqen globale.

SHBA-ja duhet të vazhdojë të përpiqet ta shpëtojë këtë Perëndim, edhe pse të tjerët, si për shembull Britania e Madhe dhe Australia, janë aq të mençura sa të hartojnë secila një Plan B. Por tek e fundit, janë evropianët ata që duhet të vendosin se çfarë duan, dhe pastaj të bëjnë atë që duhet për t’u bërë të besueshëm në skenën ndërkombëtare. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al