Kush e fiton Tiranën? Flasin për ABC drejtuesit e fushatës

schedule16:31 - 10 Shkurt, 2021

schedule 16:31 - 10 Shkurt, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Tirana do të jetë kryefjala e zgjedhjeve të 25 prillit jo vetëm për shkak të numrave por edhe të emrave. Socialistët dhe demokratët i kanë përfunduar kalkulimet, duke graduar të besuarit e tyre për drejtimin e punës në terren. PS ka ndryshuar shumë nga 2013 kur i vetëm Tiranën e drejtonte Saimir Tahiri. Sot peshën e sigurimit të mandateve e gëzon Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati, me mbështetjen e plotë të qytetarit të parë të Tiranës Erion Veliaj.

“Ne jemi një ekip i tërë që  është në dispozicion të jo vetëm fushatës, por edhe përcjelljes së mesazhit në çdo cep”, thotë Elisa Spiropali.

Edhe demokratët kanë deleguar përgjegjësi të fortë besimi te gratë. Grida Duma synon të marrë rezultat pozitiv për Tiranën si e deleguar në zonën e Rrogozhinës dhe Kavajës.

“Tjetër gjë ishte fushata jonë në 2017, tjetër gjë është në 2021 në nivelin e çudisë që unë përjetoj. Ne ishim të gjithë të përgatitur vqë do të bëjmë betejë, po motivohemi nga njerëz që krejt papritur nuk e prisnin këtë hedhjen tonë në betejë”, shprehet Duma.

Ervin Bushati  e cilëson të përmbushur angazhimin politik të socialistëve për Tiranën, ndaj edhe ambiciet i ka të mëdha.

“Ne në Tiranë do përpiqemi të marrim më shumë vota se në 2017”, thotë ai.

Belind Këlliçi drejton Forumin Rinor të Demokratëve nga dhjetori i 2015. Këto Zgjedhje Lulzim Basha ka besuar në pjekurinë e tij politike dhe i ka dhënë përgjegjësinë në 4 degë të kryeqytetit.

“Ajo çka më intereson dhe frymëzon është padurimi që kam parë tek qytetarët dhe të rinjtë për të votuar në 25 prill”, shprehet ai.

Përballja politike herë shihet si garë dhe herë si betejë personale me kundërshtarin.

“Po bëjnë një fushatë të shëmtuar, një fushatë me shumë emra, sulmi. Nuk kanë tjetër ç’të bëjnë”, thotë Spiropali.

“Më i miri i tyre është i kallëzuar në SPAK, Ervin Bushati. Për të mos kaluar te ‘madam Dogana”, shprehet Këlliçi.

“Të tre kanë qenë humbës në zonat ku kanë qenë. Në tre këto këndvështrime nuk i dalin llogaritë Bashës”, thotë Bushati.

Grida Duma kërkon që përtej personales, politika të kaloj në tjetër nivel.

“Bashkohet misioni dhe vizioni që kemi ne për një Shqipëri që duhet patjetër të pasurojë individin. Unë dua të flas një ditë për shqiptarin e pasur”, thotë Duma.

Erion Veliaj nuk kërkon mandate për veten në parlamentin e ardhshëm, por ai është shënjestra kryesore e demokratëve.

“Jam i bindur se këtu duhet të bëhet ndryshimi i madh, për t’u shkëputur nga një model që ka hyrë në politikë duke goditur partinë e tij”, shprehet Këlliçi.

“Qeverisja me kaseta siç bën ai, ku është i vetmi i lumtur që përqafohet me fëmijët”, thotë Duma.

Për socialistët Veliaj do të jetë bonusi i tyre në fushatë.

“Është një aset puna e jashtëzakonshme që ka bërë Veliaj në Tiranë. Është një plus i madh për fushatën tonë në Tiranë”, thekson Spiropali.

Edi Rama ka bindjen se në përballjen politike me Lulzim Bashën del fitues pa qenë nevoja për një program ekonomik 4 vjeçar, kur synimi është që të ketë frenat e vendit deri në 2030.

“Ne kemi tetë vite që dëgjojmë, ‘do bëjmë shtet’. E kam parandjerë ku shikoja marketingun elektoral në 2013”, thotë Grida Duma.

“Ne do shkojmë para zgjedhësve me një program të detajuar”, shprehet Spiropali.

Leximi i votave për 36 mandatet e Tiranës në sondazhet dhe pritshmëritë e dy kampeve politike është i ndryshëm.

“Nuk dua të them shifra, sepse është çështje që do ti afrohemi”, shprehet Duma.

“Nuk dua të shti fall, por të jeni të sigurt më shumë seç kemi marrë në 2017”, thotë Spiropali.

“Ne synojmë 20 mandate në Tiranë”, deklaron Këlliçi.

“Me PS ne synojmë për 19 mandate dhe me ndihëm e zotit Basha do të marrim 20”, thotë Bushati.

Në 25 prill, krahas ambicies së Edi Ramës për të marrë mandatin e tretë dhe bastit të fortë të Lulzim Bashës për t’i sjellë demokratët në pushtet, e sigurt është se Parlamentarizmi do të marrë një fytyrë tjetër, i përfaqësuar nga një gjeneratë e re politikanësh . /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!