Kush do ta drejtojë PD-në? Kandidatët zbresin në terren, Basha vijon turin nëpër qytete

schedule10:05 - 27 Maj, 2021

schedule 10:05 - 27 Maj, 2021

Teksa kanë mbetur pak më shumë se dy javë nga data e zgjedhjeve për kreun e PD, katër kandidatët në garë kanë nisur fushatën brenda partisë për të bindur demokratët për votëbesim, për drejtimin e partisë më të madhe opozitare në vend.

Tashmë prej disa ditësh kreu i PD në detyrë Lulzim Basha i cili synon një tjetër mandat në krye të saj ka vijuar takimet me demokratët e qyteteve të ndryshme ndërsa ndalesa e fundit ishte në Korçë një ditë më parë.

Po sot dy kandidatët e tjerë, Agron Shehaj dhe Fatbardh Kadilli do vijojnë takimet nëpër qytete për të njohur demokratët me programin e tyre.

Shehaj do ta nisë nga Shkodra, të cilin e ka quajtur qytet model të demokracisë, duke theksuar se pikërisht për këtë arsye e starton prej aty pasditen e sotme.

“Shkodra është qyteti simbol i demokracisë shqiptare. Jo rastësisht, takimet me demokratët i fillojmë aty. Ju mirëpres nesër në ora 17:00, pranë shkollës “28 Nëntori”, ka njoftuar Shehaj.

Ndërsa Kadilli ka ndjekur një tjetër “strategji” duke e nisur një ditë më parë nga Berati, ku tha se ka pasur sukseset më të mëdha në karrierën e tij politike.

Kadilli deklaroi se Lulzim Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Prillit, duke deklaruar se nëse bëhet kryetar do punojë për ta sjellë PD-në në pushtet.

Harxhi nga ana tjetër nuk ka njoftuar ende takimet në qytete, ndërsa sot pritet të njohë demokratët me programin e saj. (Lexo këtu programin).

Demokratët do i drejtohen kutive të votimit më 13 qershor për të zgjedhur kryetarin e tyre për katër vitet e ardhshme. Basha drejton selinë blu prej tetë vitesh që prej largimit të Sali Berishës, pas humbjes përballë socialistëve. /mv.abcnews.al