Kurti zgjat afatin e monopolit të kerozinës së EX Fis-it

schedule19:46 - 31 Janar, 2025

schedule 19:46 - 31 Janar, 2025

Qeveria Kurti po vazhdon shpërblimin e kompanive të cilat e mbështetën në fushata elektorale, duke krijuar monopole në fusha të ndryshme.

Historia e sotme flet për monopolin me kerozinë që Kurti tash e katër vjet është duke ia dhuruar kompanisë EX Fis, ani pse që në 2019-ën, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ka arritur numrin prej 2 milionë udhëtarësh, kusht ky që parasheh hapjen e tregut për shërbime tokësore brenda këtij aeroporti, siç e përcakton edhe kontrata për dhënien në shfrytëzim të këtij aeroporti.

Kurti katër vjet radhazi ka vazhduar kontratën e Exfisit, duke i dhënë kështu monopol të plotë për shërbime tokësore në aeroport.

Kontratën e fundit, Qeveria Kurti ia ka vazhduar kësaj kompanie më 28 janar të këtij viti. Kjo kontratë do të vlejë deri në dhjetorin e 2025-ës, duke ia shtruar kështu rrugën Exfisit që të përfitojë milionat, duke shkelur me dy këmbë konkurrentët e tjerë në treg.

Ky vendim që mban nënshkrimin e Burim Dinaramës, i cili është ushtrues detyre i drejtorit të Aviacionit Civil, hyn në fuqi më 1 shkurt të këtij viti.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se EXFIS ka ruajtur në vazhdimësi, kriterin ekonomik mbi të cilin është aprovuar dhe se operon në përputhje me kërkesat dhe rregulloret e standardeve të sigurisë.

Ani pse i njëjti vendim nënvizon faktin se kontrata i obligon të hapin tregun për operatorët e tjerë, për shkak se tash e 5 vjet është plotësuar kriteri bazë i 2 milion udhëtarëve brenda vitit, dhe do të duhej që tashmë të ishte një treg i lirë, ky autoritet thotë se ende nuk janë krijuar kushtet për një gjë të tillë.

Por e vërteta qëndron ndryshe…

Exfis që është pronë e Lum Muharremit, rezulton të ketë qenë mbështetës në fushatën e LVV-së edhe në të kaluarën përmes derivateve.

Në raportin e KQZ-së mbi pasqyrat vjetore financiare në periudhën 1 janar 2021 deri më 31 dhjetor të 2021-ës, del që Lëvizja Vetëvendosje ka paguar vetëm 8 mijë e 790 euro derivate.

Ndonëse viti 2021 ka qenë vit elektoral, ku Kosova i është nënshtruar dy palë zgjedhjeve dhe udhëtimet me makinë e lëvizjet nga qyteti në qytet në kërkim të votave, në shkurt dhe nëntor të atij viti, kanë qenë të shumta. Por duket që partia e kryeministrit Kurti ka harxhuar vetëm 8 deri në 10 mijë litra naftë.

Fakti që në raportin e tyre financiar, shkruan vetëm Exifis, si vend ku janë furnizuar me derviate, ngritet pikëpyetja, nëse paratë e tjera për naftën, është duke i paguar qytetari i Kosovës me monopolin që Kurti ia ofroi me shitjen e kerozinës kësaj kompanie, gjatë mandatit të tij në krye të Qeverisë.

Në 2019-ën, ish-kreu i Autoritetit të Avicaionit Civil, Eset Berisha, kishte tentuar ta hapte tregun, për kompanitë e tjera. Ky veprim, Berishës i kushtoi me largim nga puna nga kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti.

Të njëjtin fat e pati edhe drejtori tjetër i Autoritetit, Bujar Ejupi, i cili pasi kishte marr vendim që të hapej tregu për kerozinën në aeroport, kryeministri Kurti, e largoi nga puna.

Ky nuk është monopoli i vetëm i krijuar nga kryeministri Albin Kurti brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës/ KlanKosova

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!