Lëvizja Vetëvendosje propozoi, kryetarin e saj, Albin Kurtin për Kryeministër me votë unanime në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të Partisë.
Teksa propozoi Kurtin, nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, kritikoi dhe fajësoi partitë tjera të mëdha shqiptare për krizën institucionale. Sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese kontribuoi në krizën politike.
Vendimi i Vetëvendosjes erdhi vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi një masë të përkohshme që u ndalon deputëtëve të ndërmarrin veprime për zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së re.
Masa do të jetë në fuqi nga deri 30 shtator, por është kritikuar nga partia e Kurtit, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.
Gjykata doli me vendim bazuar në kërkesën e deputetëve të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Sipas Listës Serbe, janë kryer shkelje kushtetuese pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha i ka hedhur në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga minoriteti joserb dhe ai serb.
Lista Serbe, e cila gëzon 9 prej 10 ulëseve të rezervuara në Kuvend për minoritetin serb, ka insistuar në emrin e Sllavko Simiqit, por ai nuk i ka siguruar votat e nevojshme.
Më vonë Basha nxorri në votim përmes shortit emrat e të gjithë deputetëve serbë në Kuvend, por asnjëri nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme. Basha e ka shpallur Kuvendin të konstituuar, edhe pse nuk është zgjedhur edhe nënkryetari i pestë.
Partitë tjera besojnë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa Presidenca e Kosovës ka thënë se ekipi i saj ligjor po e analizon këtë proces. / abcnews.al /

