U desh vizita e kryeministrit Edi Rama në Kosovë, që Albin Kurti ta urojë për fitoren e zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri.
Me 9 muaj vonesë, Kurti uroi Ramën për mandatin e katërt qeverisës.
“Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë.”
Ndërkohë vetë Rama, nuk u kursye për ti uruar për herë të dytë fitoren Kurtit në dhjetor. Duket se akujt janë shkrirë. Kurti thotë se është gati për të hedhur pas përplasjet e së shkuarës.
“Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë.”
Më herët kryeministri u ndal edhe tek Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo vizitë e Ramës erdhi në një moment kritik për Kosovën. Një ditë para 18-vjetorit të Pavarësisë, por gjithë vëmendja është në Hagë, aty ku pak ditë më parë Prokuroria Speciale kërkoi 180 vite burg për 4 ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli, ndërsa të martën festimet e pavarësisë do i lënë vendin marshimit në mbështetje të ish-liderëve të UÇK në Prishtinë.
Por sa herë Kurti me Ramën në Prishtinë afrohet, vetëm një në Tiranë ligështohet. Sali Berisha mbetet sërish i vetmuar. Aleati i tij i vetëm në Kosovë, ka uruar Ramën për fitoren, kurse në PD bie si një ngushëllim doktorit për humbjen. / abcnews.al /


