Kurti tregon çfarë i tha Blinkenit: Jemi angazhuar në mënyrë konstruktive e kreative në dialogun me Serbinë

schedule07:49 - 27 Korrik, 2022

schedule 07:49 - 27 Korrik, 2022

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani janë takuar në SHBA, me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Kurti ka treguar se kanë biseduar për zhvillimet e brendshme dhe qeverisjen, Rusinë si kërcënim dhe aspiratat e Kosovës për integrime euroatlantike.

Kryeministri gjithashtu ka njoftuar se në takim kanë folur për punën e dialogut me Serbinë dhe ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për një marrëveshje të përqendruar në njohje reciproke.

Lexo edhe: Takimi i Kurtit dhe Osmanit me Blinken, DASH: Diskutuan dialogun me Serbinë, duhet njohje reciproke

Gjithashtu Kurti ka thënë se e kanë njoftuar Blinkenin me faktin se Kosova po tregohet konstruktive dhe kreative në negociata.

Deklarata e plotë:

Së bashku me Presidenten Osmani, të shoqëruar edhe nga ambasadori jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli takuam sot Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Me Sekretarin Blinken diskutuam për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës. Theksuam raportet tona bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre sidomos në rrafshin ekonomik me më shumë investime dhe në atë tregtar me më shumë shkëmbime. Po ashtu diskutuam për demokratizimin e rajonit dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet nga të cilat kanoset Ballkani Perëndimor. Anëtarësimi i Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse e të sigurisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit.

Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut.

Marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe popujve tanë janë të fuqishme aktualisht dhe të thella historikisht. Qëndrojmë krah për krah njëra tjetrës se jemi miq, partnerë dhe aleatë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!