“Kurti t’i qaset seriozisht dialogut me Serbinë”, analisti: Nuk është transparent

schedule12:03 - 30 Dhjetor, 2022

schedule 12:03 - 30 Dhjetor, 2022

Edhe pse serbët hoqën barrikadat të vendosura për gati tre javë në veri të Kosovës, pikat kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë  të mbyllura.

Heqja e barrikadave nisi ditën e djeshme pasi serbët mbajtën të bllokuara disa rrugë që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë për rreth 20 ditë.

Analisti politik,  Faton Topalli, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “ABC Live” u shpreh se shqiptarët e Kosovës janë të interesuar të gjendet një zgjidhje sa më shpejt, në mënyrë që situata e tensionuar të kthehet në normalitet. Gjithashtu edhe faktori ndërkombëtar është i interesuar që të stabilizojnë gjendjen në rajon.

Topalli: Shqiptarët janë të interesuar të gjejnë një zgjidhje që do t’i sigurojë atyre një jetë më të qetë. Faktorët ndërkombëtarë janë shumë të interesuar që të stabilizojnë gjendjen në Ballkan. Mendoj që vitin tjetër do të shtohet intensiteti i bisedimeve dhe do të shtohet presioni nga ndërkombëtarët për dialog në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Ai theksoi se nga ana e kryeministrit Albin Kurti duhet të ketë angazhim maksimal në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për dialogun Kosovë-Serbi. Më tej theksoi se Kurti nuk ka ende një synim të qartë për zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të Kosovës.

Topalli: Nuk ka marrëveshje që të dyja palët të dalin të fituara, por janë bisedimet e njëpasnjëshme ato që do të sjellin një zgjidhje të tillë. Partitë opozitare presin nga Kurti që të ruajë marrëdhëniet me SHBA-në dhe të angazhohet seriozisht për negociata me Serbinë. Kurti duhet t’i qaste seriozisht dialogut dhe nuk është fare transparent për sa i përket dialogut. Nuk ka një synim të qartë për sa i përket zgjidhjes së situatës në Kosovë./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!