Kurti takon kongresmenen Maloney, i kërkon kushtëzimin e qasjes së Serbisë në fondet e SHBA-së

schedule11:55 - 20 Maj, 2022

schedule 11:55 - 20 Maj, 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kongresmenen amerikane Carolyn Maloney, me të cilën ka folur për punën e tij qeverisëse, reformat e nisura në drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë e rajon.

“Përmirësimi i indikatorëve të demokracisë në njërën anë dhe qeverisja e mirë e luftimi i krimit dhe korrupsionit në anën tjetër, janë themeli i një rritje të qëndrueshme ekonomike që i duhet vendit”, ka thënë Kurti në takim, siç njofton Zyra e Kryeministrit.

Ai tha se Qeveria e tij është e angazhuar për përparim në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, duke thënë se këtë vit Kosova u ngrit për 17 vende, sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International dhe renditjen si të parët në rajon sipas “Ëorld Justice Project”.

Lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri ritheksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.

“Qeveria e Kosovës angazhohet dhe është e vendosur që kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara”, tha kryeministri Kurti.

Po ashtu, me Maloney, e cila është njëherësh kryesuese e Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reforma, u diskutua edhe për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë dhe rreziku që paraqet për destabilizimin e rajonit, marrë parasysh lidhjet e afërta të Rusisë me Serbinë, e cila për dallim nga Republika e Kosovës, nuk është rreshtuar me botën demokratike në dënimin dhe sanksionimin e agresorit.

Kryeministri tha se qasja e Serbisë te fondet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të kushtëzohet me dënimin e plotë të invazionit rus dhe sanksionimin e luftës ilegale të Rusisë në Ukrainë.

Kongresistja Maloney e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës, që u rreshtuan përkrah ShBA-së dhe BE-së lidhur me invazionin rus në Ukrainë dhe për ndihmën e ofruar refugjatëve afganë.