Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me disa eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian. I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Temë diskutimi kanë qenë zhvillimet e fundit në vend dhe arritjet kryesore të qeverisë.
Po ashtu, siç u bë e ditur në komunikatën për mediat, Kurti dhe Bajrami i njoftuan deputetët evropianë edhe për sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit dhe për përmirësimet në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë, të cilat janë të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare.
Gjatë takimit, ata folën edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit të kaluar dhe për aplikimin në Këshillin e Evropës, në maj të vitit të kaluar, dy organizata këto me të cilat shteti dhe populli i Kosovës ndajnë synime, vlera dhe bindje të përbashkëta.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim. “Eurodeputetët dhanë vlerësimin e tyre pozitiv dhe shprehen mbështetjen e plotë ndaj reformave të qeverisë, përparimit demokratik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.”, thuhet në komunikatë./abcnews.al