Kurti s’mori pjesë në takimin informal/ Rama me gazetarët: Të gjithë ishin të ftuar, kush deshi erdhi

schedule17:32 - 17 Korrik, 2023

schedule 17:32 - 17 Korrik, 2023

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, në konferencë me gazetarët, komentoi mospjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës në takimin informal, i cili u mbajt sot në Tiranë. Ai tha se nuk ka asnjë interes ta komentojë mungesën e Albin Kurtit, ndërsa shtoi se ftesa ishte e hapur për të gjithë dhe kush e pa të arsyeshme zgjodhi të ishte prezent.

“Nuk shoh asnjë interes, sepse ishin të gjithë të ftuar edhe kush deshi erdhi, kush nuk mundi nuk erdhi”, tha Rama.

Shefi i qeverisë u pyet se çfarë përmban Plani i Ri i mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ai tha se nuk mund të flitet ende për gjëra konkrete pasi ky plan është ende në diskutim.

Sipas Ramës, Ballkani Perëndimor duhet parë si një rajon i tërë, pavarësisht se disa prej vendeve ndodhen në faza të ndryshme, sa i takon integrimit evropian.

“Nuk mund të flasim akoma për gjëra konkrete, sepse ky plan është në diskutim. Nuk e di a e keni ndjekur, Ursula von der Leyen, e cila në Bratislavë dha një mesazh të qartë për objektivat e këtij plani, ndërkohë jemi shumë herët për të diskutuar se sa dhe pse një vend ose një vend tjetër do të marrë dhe përftiojë. Ajo që është e rëndësishme është që ta shikojmë rajonin si një i tërë, sepse kështu na sheh BE”, tha ai./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!