Kurti përsëri në Greqi, vitin e kaluar u kritikua pse qëndroi 7 ditë në shtetin helen

schedule18:43 - 7 Prill, 2022

schedule 18:43 - 7 Prill, 2022

Kryeministri Albin Kurti po qëndron në Greqi për herën e dytë brenda një periudhe relativisht të shkurt për një  Kryeministër. Korrikun e kaluar ai kaloi plot një javë në shtetin helen. Kurti ka udhëtuar sot sërish në Greqi për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Delphi që do t’i zhvillojë punimet nga 6 deri më 9 prill.

Gjatë një ekspedite dy javore nëpër evropë verën e kaluar, Kurti kaloi disa ditë në Greqi, më pas vizitoi Francën e në fund Belgjikën.

E sa ishte Kurti në Athinë, në Deçan u helmuan mbi 1500 qytetarë. Por kjo ngjarje e rëndë nuk ia ndërpreu vizitën shefit të qeverisë i cili e vazhdoi qëndrimin duke marrë pjesë në simpoziumin e mendimtarëve Symi i cili zhvillohej në një resort luksoz në rivierën greke.

Qëndrimin e Kurtit në hotelin luksoz “Grand Resort Lagonissi” e kishte zbuluar ish kryeministri i Greqisë, George Papandreou, në një shkrim në llogarinë zyrtare në Facebook, ku shprehu mirëpritje për Kurtin dhe familjen e tij.

“Kështu, unë e mirëpres Albin Kurtin, atë dhe familjen e tij përsëri këtë vit, të cilin dua ta përgëzoj për zgjedhjen si kryeministër i Kosovës, që nga takimi ynë i fundit në Symi” – shkroi George Papandreou në Facebook, teksa falenderoi hotelin “Grand Resort Lagonissi” për akomodimin e të ftuarëve.

Për situatën e krijuar në Deçan me helmimet e qytetarëve, zëdhënësi i Kurtit, Përparim Kryeziu ishte arsyetuar se Kurti ka telefonuar kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Sipas agjendës që ka publikuar Forumi Ekonomik Delphi, në të cilin po merr pjesë kryeministri Kurti, ai do të ketë një bashkëbisedim me gazetaren Nektaria Stamoull me datë 8 prill të premten.

/Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!