“Kurti përçau shqiptarët në Luginën e Preshevës”, Arifi: Qytetarët do të bojkotojnë zgjedhjet, mund të mbetemi pa asnjë deputet në parlamentin serb

schedule16:34 - 11 Dhjetor, 2023

schedule 16:34 - 11 Dhjetor, 2023

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi hodhi akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se ka përçarë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Në një intervistë për emisionin “Ballkan Update”, Ai foli për zgjedhjet që do të mbahen në Serbi, në të cilat shqiptarët e Preshevës garojnë me dy lista të ndara,

“Problem është që shqiptarët nuk po i përmbahen marrëveshjes së Tiranës apo udhëzimeve të fundit të ministrisë së Jashtme që të jemi me një listë të unifikuar dhe kjo ndodh se Kurti ka ndërhyrë këtu nëpërmjet disa aktorëve lokalë si Shaip Kamberi dhe s’ka dashur që të rezultojë me sukses marrëveshja e Tiranës. Jemi viktima të një luftë asimetrike dhe politike midis Prishtinës dhe Tiranës, kësaj radhe nga Prishtina në drejtim të Tiranës sepse Kurti nuk ka pasur interes për marrëveshjen e Tiranës. Konsekuenca e kësaj është që me gjasa do të mbesim pa asnjë deputet shqiptar në parlamentin serb. Dhe në këtë zhvillim dhe masë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës është një dëm që dëmton substancën shqiptare tonën. Kurti ka përçarë shqiptarët në Preshevë si në Maqedoninë e Veriut dhe siç ka tentuar ta bëjë këtë në Shqipëri dhe Mal të Zi.”, u shpreh Arifi.

Ai shtoi se ekziston frika që shqiptarët të mbeten pa asnjë deputet përfaqësues në parlamentin serb pasi mund të bojkotojnë zgjedhjet. Më tej, Arifi theksoi se duhet krijuar një strategji e fortë kombëtare, me pikë orientuese Tiranën.

“Reaksioni i njerëzve këtu në Luginën e Preshevës ka me qenë bojkoti. Do të shihni zgjedhjet e dielës së ardhshme, qytetarët do të bojkotojnë në masë të madhe. Ata po shprehin pakënaqësinë se pse Kamberi dhe Kurti do të veprojnë në këtë formë, nuk besoj se dikush në rajon është duke kuptuar se çfarë po ndodh në një kohë kur Rusia është shumë aktive në Ballkan. E shihni edhe në Mal të Zi, vetë fakti që ka në qeveri një grup që është pro serbe dhe pro ruse, tregon që rajoni është në një zhvillim, i cili thjesht është i paqartë ky zhvillim. Dhe për këtë arsye, kur bëjmë krahasimin me Luginën e Preshevës, ku zgjedhjet ka mund me qenë një mundësi për të ngritur zërin edhe më shumë. Në këtë moment po vjen përçarja nga Prishtina. Për mua është e dyshimtë, mungesë inteligjence ose strategjie ose e qëllimshme dhe po dëmtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe procesi mbarëkombëtar shqiptar. Ne të gjithë po dëmtohemi me këtë qasje.“, shtoi Arifi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!