Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje i ka dedikuar një postim në llogarinë e tij në Facebook, liqenit të Ujmanit.
Në postimin e tij, Kurti shkruan se ky liqen, i cili është artificial, është pronë e Kosovës, pra i përket Kosovës edhe pjesa që shtrihet në territor të Serbisë.
Fakti që liqeni është artificial, e bën sipas Kurtit, të kotë debatin për ndarjen me Serbinë si pasuri ujore.
“Sipërfaqja e plotë mbi cilën është ndërtuar Ujmani është pronë e Kosovës. Kadastri, pra pronësia, shtrihet më tej se kufiri shtetëror i Republikës së Kosovës me Serbinë. Andaj Ujmani edhe në territorin e Serbisë është i Kosovës. Ujmani është tokë e Kosovës në territor të Serbisë. Por, edhe atje ai është i Kosovës”, shkruan Kurti.
Duke thënë se Ujmani është çështje prone dhe jo kufiri, Kurti merr për shembuj liqene të tjera, që janë natyrorë dhe ndahen mes shteteve.
“Ujmani nuk është rasti i liqenit natyror të Shkodrës, ku vet liqeni është ndarë midis shteteve, apo i liqenit tektonik të Ohrit. Por as nuk është rasti i marrëveshjes ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujrave dhe më pas blerjen e tokës si te liqeni i Vërmicës në rastin e Shqipërisë me atëbotë Jugosllavinë.”
Po ashtu kreu i LVV, thotë se “kushdo që po flet për Ujmanin si “ujëra që duhen ndarë” përveç që po ndihmon Serbisë të krijojë nga hiçi një kontest të pronësive të Kosovës, njëkohësisht edhe po e shtron rrugën që të zgjidhet keq çështja e demarkimit të kufirit kurdo që ajo ndodh.”
“Ujmani është tokë, ujë dhe energji e Kosovës, nga Kosova, për Kosovën,” përfundon Kurti.
Postimi:
Ujmani nuk është pasuri natyrore por liqen artificial. Ujmani është pasuri, sepse është pasuri e Kosovës; jo pasuri natyrore, sepse i ndërtuar nga dora e njeriut. Ujmani nuk është ujë, Ujmani është tokë, sepse njëherë është tokë e pastaj ujë. Ujmani është tokë e mbushur me ujë.
Sipërfaqja e plotë mbi cilën është ndërtuar Ujmani është pronë e Kosovës. Kadastra, pra pronësia, shtrihet më tej se kufiri shtetëror i Republikës së Kosovës me Serbinë. Andaj Ujmani edhe në territorin e Serbisë është i Kosovës. Ujmani është tokë e Kosovës në territor të Serbisë. Por, edhe atje ai është i Kosovës.
Planifikimi, projektimi dhe ndërtimi janë bërë me shpallje të interesit të Kosovës, me mjete të Kosovës, i destinuar për Kosovën, në kohën kur Kosova ishte krahinë socialiste autonome e federatës.
Ujmani nuk është liqen natyror. Aty para ujit ka pasur toka, të cilat i ka shpronësuar Kosova, sipas ligjeve në fuqi dhe ka paguar shtrenjtë për to.
Nuk ka pasur kontest me dikur republikat (sot shtete), pasi u shpërbë federata.
Ujmani nuk është ndërtuar në bashkëpunim me Republikën tjetër (sot Serbia), as nuk ka pasur për destinim përdorimin e ujërave të grumbulluara në të nga të dy entitetet asokohe brenda federatës (sot shtete të pavarura), por vetëm dhe vetëm të Kosovës. Këtë e vërteton çdo dokument zyrtar, por edhe projektimi i këtij kompleksi ujor-energjetik.
Fakti që nga pikëpamja e kufirit shtetëror ka pjesë të liqenit artificial të Ujmanit, pra tokave, në territorin e Serbisë, nuk thotë asgjë për pronësinë e tokës mbi të cilën sot ka ujë – ajo është aset i ndërmarrjes publike me qeverinë si 100% aksionare në emër të Republikës sonë. Ujmani është çështje prone, jo kufiri.
Ujmani nuk është rasti i liqenit natyror të Shkodrës, ku vet liqeni është ndarë midis shteteve, apo i liqenit tektonik të Ohrit. Por as nuk është rasti i marrëveshjes ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujrave dhe më pas blerjen e tokës si te liqeni i Vërmicës në rastin e Shqipërisë me atëbotë Jugosllavinë.
Nuk ka pasur dhe as nuk ka për Ujmanin asnjë kontest të natyrës ndërkombëtare apo që lidhet në ndonjë formë me të drejtën ndërkombëtare të ujërave. Sepse askush nuk ka kontest për rrjedhën e lumit i cili e mbush një pjesë të liqenit tonë artificial.
Koha kur Serbia mund të nxirrte pretendime për këtë kompleks siç është Ujmani ka qenë para më shumë se 40 vjetëve, kur shpallej interesi i Kosovës për projektim dhe shpronësime për këtë qëllim në nivel të federatës. Nuk mund të simulohet kontesti i pabërë 40 vite më parë sot më 2020. Sepse nuk ekziston më asnjë e drejtë. Gjithçka është ratifikuar në nivel federate në atë kohë dhe çështja është e mbyllur.
Kushdo që po flet për Ujmanin si “ujëra që duhen ndarë” përveç që po ia ndihmon Serbisë të krijojë nga hiçi një kontest të pronësive të Kosovës, njëkohësisht edhe po e shtron rrugën që të zgjidhet keq çështja e demarkimit të kufirit kurdo që ajo ndodh.
Ujmani s’ka kontest, as nuk ka për çfarë të përdoret nga Serbia, as si e drejtë dhe as si aset, sepse nuk i ka takuar kurrë asaj dhe as nuk është ndërtuar për pjesë apo zona të saj.
Ujmani pra nuk i takon Serbisë e madje as nuk i duhet Republikës së Serbisë. Ujmanin duket që e kanë veçse për ‘Zajednicë’, si ujë për ‘Zajednicë’.
Ujmani është tokë, ujë dhe energji e Kosovës, nga Kosova, për Kosovën. s.b/ abcnews.al/
Ujmani është toka jonë
Ujmani nuk është pasuri natyrore por liqen artificial. Ujmani është pasuri, sepse është pasuri…
Posted by Albin Kurti on Thursday, September 17, 2020