Kryeministri Albin Kurti këtë të martë ka dhënë detaje në lidhje me situatën e krijuar nga zjarret në Kosovë.
Kurti ka pranuar se nuk ka mjaftueshëm zjarrfikës, ai tha se komunat e rrezikuara nga zjarret janë duke u ndihmuar nga ato fqinje për ta përballuar situatën me përhapjen e zjarreve.
Megjithatë kryeministri Kurti theksoi se këto komuna kanë pajisje të mjaftueshme në kuadër të Brigadave të Zjarrfikësve.
“Është evidente që komunat nuk numër të mjaftueshëm të zjarrfikësve, ndonëse mund të kenë pajisje të mjaftueshme dhe komunat fqinje po i ndihmojnë këto komuna që janë më të rrezikuara. Jam në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e komunave dhe me mundësitë që kemi po e bëjmë më të mirën “, ka thënë ai.
Ndër të tjera, Kurti tha se mbajtja nën kontroll e këtyre zjarreve paraqet një sfidë të madhe për Kosovën.
“Ne tash si institucione po mobilizohemi maksimalisht. Kemi kërkuar edhe ndihmën e FSK-së, e madje edhe të KFOR-it. Besoj që mbajtja nën kontroll e këtyre zjarreve të egra paraqet një sfidë të madhe për shtetin tonë. Kemi arritur që tash për tash të mos kemi dëme të mëdha materiale e sidomos dëme në njerëz”, ka thënë ndër të tjera Kurti./abcnews.al