Heqja e sanksioneve të Bashkimit Europian për Prishtinën përfundimisht në janar të vitit të ardhshëm, është një lajm i mirë për vendin, edhe pse sikurse pritej po përdoret politikisht nga kandidati për kryeministër nga rradhët e VV, Albin Kurti.
Ato ishin të padrejta deklaroj Kurti nga mbledhja e qeverisë, edhe pse për asnjë moment gjatë këtyre viteve nuk bëri asnjë analizë publike se cili ishte shkaku i vendosjes së tyre: partneriteti i paqëndrueshëm dhe veprimet e pakoordinuara me ndërkombëtarët nën drejtimin e tij.
Gjithësesi, në kohë fushate ka vend për për të gjetur fajtor dhe gishti u drejtua nga opozita.
“Megjithkëto gjatë gjithë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me Bashkimin Evropian. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleat dhe kampion të vlerave demokratike. Por më duhet të them dhe diçka. Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian por nga opozita parlamentare.
Në muajin kaluar përkundër insistimit, Kuvendi i republikës u shpërnda pa u votuar plani i rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore me vlerë mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej, në mungesë të vullnetit dhe votës së opozitës. Andaj uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit edhe opozita e tanishme t’ia heq masat Kosovës.”
Masat ndëshkuese i kushtuan Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për afat të pacaktuar. Për shkak të kalimit të afateve, 7.1 milionë euro kanë humbur tërësisht, sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP.
Sektorët më të prekur përfshijnë mjedisin, me 350 milionë euro, energjinë me 114 milionë euro, digjitalizimin me rreth 57 milionë euro, dhe kulturën me 15 milionë euro.
Prej këtyre fondeve, rreth 218 milionë euro kanë qenë për projekte në kuadër të Instrumentit para-anëtarësimit , dhe rreth 395 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës për Investime të Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor. / abcnews.al /

