Kurti: Nuk ka ende drejtësi dhe paqe për Srebrenicën

schedule21:56 - 10 Korrik, 2023

schedule 21:56 - 10 Korrik, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnje e Hercegovinën, teksa kritikoi politikanët në rajon që mohojnë gjenocidin e ndodhur në Bosnje.

Gjatë ceremonisë përkujtimore për 28-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, të organizuar në Prishtinë, Kurti tha se “Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e krimeve, ajo asnjëherë nuk u bë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid”.

Sipas kryeministrit kosovar, dënimi me burgim të përjetshëm nga gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi, i ish-presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe ish-udhëheqësit ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq, për gjenocidin në Srebrenicë, janë tregues se ngjarjet në Bosnje u kryen nga jashtë, shkruan REL.

“Ky është tregues që gjenocidi në Bosnje nuk ka ndodhur nga brendësia, por nga jashtë, që përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet. Prandaj, ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnjën”, tha Kurti.

Kurti kritikoi politikanët në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska që refuzojnë të pranojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Ky mohim, sipas tij, “vë kripë në plagën” e familjarëve të viktimave.

“Ne duam paqe, bashkëpunim dhe barazi mes shteteve dhe popujve në Ballkan. Por, themelimi i kësaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e paimagjinueshme se si në shekullin 21 ka politikanë në rajonin tonë që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut dhe kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e duke vendosur drejtësi. Dhe i vetmi dialog i mirë kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”, tha Kurti.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!