Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pretendon se dokumentet “non paper” të publikuara në ditët e fundit nga mediat në Ballkan, mund ta kenë prejardhjen nga Beogradi dhe Moska.
“Nuk besoj që autorët e këtyre janë kryeqytetet perëndimore, sigurisht që jo SHBA-ja dhe as ato evropiane. Besoj që kjo vjen nga Beogradi dhe verilindja. Është interes i Federatës Ruse ta përdor Ballkanin Perëndimor për të sulmuar Bashkimin Europian dhe NATO-n”, tha Kurti në një intervistë për një grup gazetarësh të cilët po e përcjellin vizitën e tij në Bruksel.
Kujtojmë se që nga mesi i muajit prill në media janë publikuar dy të ashtuquajtur “non-paper”, si dokumente të pretenduara, në të cilat flitet për qasje të ndryshme për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi.
“Non-paperi” i parë, i publikuar më 15 prill, pretendohet të jetë i kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, i dërguar për Këshillin e Evropës. Ai përmban propozimin e supozuar për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon. Mikrëpo, ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë.
Më 27 prill, në disa media në Kosovë është publikuar një “non-paper” tjetër, i cili është pretenduar të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca dhe i cili flet për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paperit”. I pyetur lidhur me këto dokumente, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ai nuk punon me “non paper” dhe i quajti dokumente fantazmë.