KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia po tenton të gjejë një makineri kohore për të nxjerrë alibi, pasi pavarësisht se në parim ka thënë “po”, tashmë ka ndryshuar qasje dhe nuk dëshiron të zbatojë marrëveshjet e fundit.
“Presidenti i Serbisë, i ka thëne “po” marrëveshjes me qëllim që mos të nënshkruajë. Tani është penduar që ka thënë “po”. Gjatë bisedimeve që kam në Bruksel dhe jo vetëm, Serbia është në kërkim të një makinerie kohore. Makinë kohore nuk mund të ketë dhe përpara është sekuencimi dhe zbatimi i marrëveshjes pa kushte, dhe në plotësi. Ato marrëveshje e mëparshme i nënshkruante, ndërsa kjo marrëveshje e di se është e mirë për Kosovën dhe nuk do ta nënshkruajë”, tha ai.
Ai theksoi se në ndërtesat e komunave Policia e Kosova ka gjetur foto të presidentit të Rusisë Vladimir Putini. Kurti e prezantoi si “fitore”, kur tha se fotoja e presidentit rus ëashtë hequr nga komuna e Zveçanit.
“E theksova, se ndërtesat kanë qenë të braktisura nga strukturat paralele. Në Zveçan kur ka hyrë policia jonë e ka gjetur fotografinë e Vladimir Putinit. Putini nuk është kryetar komuna, me të cilin është binjakëzuar me Zveçani. Problemi këtu është i thellë dhe problemi nuk zgjidhet duke i mbyllur sytë”, tha ai.
Albin Kurti la të kuptohet se nuk do të largojë kryetarët e komunave nga ndërtesat, ndërsa drejtuar opozitës në Kuvend u shpreh si vijon: “Policia i garanton, qeveria i mbështet, ju mos i mbani peng”, tha ai./n.m.abcnews.al