Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të mërkurën se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mund të bëhet vetëm nëpërmjet njohjes së ndërsjellë si pjesë qendrore.
Kryeministri Kurti në kuadër të Forumit Ekonomik në Shkup, theksoi se njohja e ndërsjellë është thënë edhe nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, sekretari amerikan, Antony Blinken dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.
“Dua ta pranoj që përkundër se jemi vend normal, marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale dhe duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Mendoj se normalizimi i marrëdhënieve me njohje të ndërsjellë si pjesë qendrore. Kjo është thënë nga presidenti Biden, nga sekretari Blinken, nga kancelari Scholz, që njohja e ndërsjellë është pjesa qendrore e normalizimit të plotë të marrëdhënieve për çka jemi duke u munduar me zell që ta ndërtojmë dhe të vazhdojmë tutje me propozimin e BE-së i cili i është prezantuar dy palëve, mua dhe presidentit serb dhe kemi pranuar tekstin me këtë propozim dhe e kemi miratuar në dy kryeqytetet dhe pastaj edhe në Bruksel”, theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti në Maqedoninë e Veriut ka folur edhe për rëndësinë që ka Maqedonia e Veriut për Kosovën dhe po ashtu takimin e radhës që pritet ta ketë më 18 mars me presidentin e serb, Aleksandër Vuçiq në Maqedoni të Veriut.
“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë ishte nënshkruar kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ka ftuar të vijmë këtu për takimin e radhës të nivelit të lartë”, tha Kurti.
Në Forumin Ekonomik, Kurti tha se Kosova është një tregim suksesi të ndërtimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik.
“Republika e Kosovës është një vend demokratik. Kishim rritje të Bruto Produktit Vendor vitin e kaluar. Kur e zbresim inflacionin kemi pasur të hyra tatimore 23 për qind më shumë. Përveç asaj shihet që nuk ka korrupsion në qeveri, investitorët janë më të gatshëm të investojnë dhe investimet e huaja janë rritur 44 për qind, ndërsa buxheti është rritur për 17 për qind. Jemi duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Vitin e kaluar kemi shkatërruar 69 grupe kriminale, kemi mbyllur edhe rrugët ilegale që janë përdorur për kontrabandë në pjesën veriore të vendit tonë. Kështu që Kosova është një tregim suksesi të ndërtimit të demokracisë nga njëra anë dhe të zhvillimit ekonomik nga ana tjetër. Pra, ky progres ekonomik dhe demokratik është vlerësuar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare prestigjioze, theksoi ai.
Kryeministri Kurti sot takoi edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
/KosovaPress/