“Kurti” ndëshkon Trepçën/ Punëtorët nuk mund të grevë për kërkesat e tyre sepse ndëshkohen

schedule11:43 - 21 Gusht, 2023

schedule 11:43 - 21 Gusht, 2023

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kombinbatit Trepça, Enis Abdurrahmani ka konfirmuar për Kosovapress masa ndëshkuese ndaj punëtorëve të Trepcës që hynë në grevë për shkak të mosdhënies së pagave në kohë.

“Në konsultim me zyrën ligjore dhe departamentet tjera, kemi marrë masat e para që çdo bojkot dhe sabotim në punë do të sanksionohet me ndalesa të ekzekutimit të meditjeve dhe shujtave ditore, dhe nëse ky bojkot dhe sabotim thellohet, atëherë i kemi masat e rregulloreve të brendshme të cilat sanksionojnë edhe me pagë deri në 40 përqind , mirëpo ligjet i kemi shumë të qarta që do të thotë se çdo bojkot dhe sabotim mbi tre ditë pune mund të shpie edhe deri në shkëputje të marrëdhënies së punës për çdo punëtor që e bënë këtë vepër… Masa fillestare është marrë ndaj 151 punëtorëve të cilët kanë bojkotuar punën, dhe një kalkulim i përafërt i masës financiare që do të merret ndaj tyre do të jetë rreth 176 euro për një punëtor, për këto katër ditë të bojkotit të punës’. ka thënë Abdurrahmani.

Abdurrahmani, ka bërë të ditur se borxhet e trashëguara nga menaxhmentet e kaluara, të cilat kapin vlerën mbi 20 milionë euro, Trepça Sh.A. ka arritur që në masë të madhe t’i zvogëlojë falë angazhimit dhe subvencioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, duke ristrukturuar disa prej njësive biznesore të ndërmarrjes, Trepça tashmë është në rrugë të mbarë dhe po kthehet fuqishëm në ndërmarrje profitabile.

Ai përmendi progresin e madh dhe në shumë sfera të ndërmarrjes gjatë dy viteve të fundit, ndërsa potencoi mbështetjen e jashtëzakonshme nga ana e  qeverisë, sidomos në investime kapitale, revitalizimin e minierave etj, vetëm që Trepça të kthehet fuqishëm në një ndërmarrje profitabile, me qëllim primar maksimizimin e profitit dhe rritjen e vlerës së aksioneve.

Si rezultat i kësaj, shtoi Abdurrahmani, ndërmarrja ka arritur të nënshkruajë marrëveshje për investime kapitale mbi 15 milionë euro, si dhe për ndarje të një fondi kapital punues për ndërmarrjen.

Ai tha se Trepça Sh.A. ka pranuar mbi 210 praktikantë në afat kohor prej gjashtë muajsh për t’i përgatitur ata për punë, 50 prej të cilëve do të punësohen nga data 1 shtator i këtij viti.

Abdurrahmani sqaroi se për të gjitha këto suksese dhe të arritura të ndërmarrjes me të cilën udhëheqë, dëshmon më së miri opinioni i auditorit të pavarur, ku siç tha ai, Trepça për herë të parë prej pasluftës, merr opinion të kualifikuar.

Ai u shpreh se përkundër progresit të arritur deri tani, ndërmarrjen e presin punë dhe angazhime të mëdha në të ardhmen.

Abdurrahmani foli edhe për problemet, vështirësitë dhe sfidat me të cilat po përballet ndërmarrja, me ç’rast tha se edhe pse janë bërë përpjekje për të zvogëluar shpenzimet operative dhe rritjen e të hyrave, Trepça ka pasur disa kriza si rezultat i faktorëve të jashtëm.

Kryeshefi i Trepçës ka përmendur shifrat prej 40 mijë deri në 50 mijë euro humbje ditore në raste kur sabotohet puna, andaj apeloi tek minatorët që të mos bojkotojnë, por t’i qasen punës me seriozitet dhe angazhim maksimal për të mirën e përgjithshme.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!