Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e udhëhequr prej tij reformimin e prokurimit publik e konsideron si ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit, raporton Express.
“Për qeverinë tonë të re, reformimi i prokurimit publik është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike”, tha ai në një diskutim për “Transformimin e prokurimit publik”, ku mori pjesë edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe e disa kryetarë komunash.
Kurti tha se korrupsioni ka qenë i përqendruar rreth qeverive të kaluara, ndërsa tha se për reformimin e prokurimit publik duhet njerëz profesionalë e me integritet moral.
“Prokurimi publik duhet të jetë i mirë planifikuar, i mirë menaxhuar me mekanizma të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies dhe me zyrtarë profesionalë me integtritet moral. Ne e dimë se vlerësimet e përvitshme të organizatave të ndryshme thonë se korrupsioni, ashtu si pushteti politik dhe financiar ka qenë i përqendruar rreth qeverisë dhe se fushat më të korruptuara janë konsideruar prokurimi publik, ndërmarrjet shtetërore dhe bizneset private”, tha Kurti.
Sipas kryeministrit, korrupsioni tani nuk mund të lidhet me nivelin e lartë politik, ndërsa premtoi se nëse dëshmohet e kundërta, do të merrte masa menjëherë.
“Korrupsioni nuk mundet më pas 14 shkurtit të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik sepse ne kemi zgjedhur një qeveri me njerëz profesionistë, të mirëedukuar dhe me integritet të lartë moral. Nëse e kundërta dëshmohet, ju garantoj këtu që masat do të jenë të menjëhershme sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë qeveri është zero”, deklaroi Kurti./Express